Ish-hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, Nevenka Tromp ka vlerësuar se askush nuk mund ta parashikojë se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjithsesi, ajo ka dhënë tre skenare të mundshme për verdiktin final.
Sipas saj, skenari më i mundshëm është që disa nga të akuzuarit të lirohen e disa të dënohen.
“Askush nuk mund të parashikojë cili do të jetë verdikti. Skenari i parë, që shumë njerëz në Kosovë e presin me ankth por me shpresë dhe optimizëm, është lirimi i të katër të akuzuarve. Skenari i dytë është më i keqi, ku të katër shpallen fajtorë për disa nga akuzat në aktakuzë. Dhe skenari i tretë, ndoshta më i mundshmi, jo sepse kam ndonjë informacion të brendshëm, por sepse është logjikisht i mundshëm, është që disa të lirohen dhe disa të dënohen. Pra, nëse më pyetni, ky është probabiliteti më i lartë statistikisht”, deklaroi Tromp.
Ajo ka komentuar edhe shtyrjen e datës së shpalljës së aktgjykimit duke thënë se ka gjasa që epilogu të zgjasë edhe më shumë.
“Edhe brenda trupit gjykues mund të ketë debat interesant të brendshëm. Ata duhet të pajtohen për çdo fjalë të aktgjykimit. Kështu që nuk është domosdoshmërisht e pamundur që të përfundohet brenda tre muajve pas përfundimit të procesit, por ka shumë gjasa që të zgjasë më shumë. Ndonjëherë, në praktikë ata arrijnë shumë shpejt marrëveshje për çështjet kryesore dhe mund të nxjerrin një vendim më të shkurtër, i cili mund të bëhet publik edhe për media dhe publik, ku shpallet edhe cili është vendimi”, shtoi ajo.
Kujtojmë që të martën, Paneli i Trupit Gjykues në Hagë ka kërkuar 60 ditë kohë shtesë për shpalljen e aktgjykimit në rastin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Kjo nënkupton që nëse kjo periudhë kohore konsumohet nga gjykatësit, vendimi pritet të jepet deri më 20 korrik të vitit 2026.








