Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se Vjosa Osmani, mbetet i vetmi emër nga kjo parti për Presidente dhe se asgjë s’ka ndryshuar.
Këto komente, Haziri i bëri përmes një postimi në Facebook, duke u tërhequr nga deklarata që e dha për Radio Evropa e Lirë, ku tha se LDK-ja do t’i unfikonte të 18 deputetët e saj në rast të një marrëveshje eventuale me Lëvizjen Vetëvendosje nëse ai ose Kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku do te ishin kandidatë për President.
“Asgjë s’ka ndryshu. Nominimi për presidente i Vjosa Osmanit mbetet i vetmi emër nga radhët e LDK-së. Në kuadër të debatit paszgjedhor, në emër të LDK-së kam paraqitur parimet gjithëpërfshirëse dhe modalitetet për bashkëpunim të mundshëm, për krijimin e stabilitetit politik dhe institucional”, shkroi Haziri në Facebook, pas prononcimit për REL-in.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, Haziri thekson se “mbetet adresa e vetme për zhvillimin e proceseve politike në të ardhmen e afërt”.
“Kërkesat politike, ndërkaq, çfarëdo natyre qofshin, do të trajtohen brenda strukturave legale të LDK-së”.
Demokracia, thotë ai, është barazvlefshme me lirinë dhe pavarësinë e Republikës.
“Kauza ‘një parti, një shtet’ është kauzë e humbur. Askush mbi Republikën!”.









