Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka kërkuar pozitën e Presidentit. Madje, kanë ofruar dy emra, kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku ose nënkryetari Lutfi Haziri.
Në këtë mënyrë, LDK-ja do t’i unifikonte 18 votat e deputetëve të saj në rast se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 7 qershorit, ia jep postin e Presidentit në bazë të një marrëveshje eventuale mes të dy partive.
Kështu ka thënë Haziri në një prononcim për Radio Evropa e Lirë, të mërkurën.
“Në rast se ky emër është Lumiri [Abdixhiku, kryetar i partisë] ose emri im, atëherë mund të unifikohemi. Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar. Pas Lumirit, konsensus më të madh [brenda LDK-së] kam unë”, tha Haziri.
Në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, LDK-ja bartëse të listës dhe kandidate për Presidente e pati Vjosa Osmanin. Por, sipas Hazirit, për emrin e saj, LDK-ja nuk mund të sigurojë mbështetjen e të gjithë deputetëve të saj.
“Mund të jetë sikur herën e kaluar, pra, dy-tri vota, mund të ndahen, por në rastin e Lumirit ose rastin tim, mund të unifikohemi”, potencoi ai.
Për një marrëveshje me LDK-në, Haziri ka thënë se VV-ja ka vetëm një adresë kryesore, kryetarit të partisë.
“Vetëm me Lumir Abdixhikun. Ai është kryetar. Ne nuk kemi mbledhur Kuvendin [e LDK-së]. Nëse mblidhet Kuvendi ose ka akt të dorëheqjes, atëherë kemi situatë të re. Deri atëherë është vetëm një adresë dhe nuk ka adresë të dytë”, shtoi ai.
Këto komente, Haziri i bëri duke iu përgjigjur Ministres në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila tha se VV-ja e ka problem të flasë me LDK-në, sepse “nuk e dimë me cilën rrymë je duke folur”, për ndonjë marrëveshje eventuale për krijimin e institucioneve.
Por, Haziri thekson se deri më tani në adresë të LDK-së “nuk ka ardhur nga LVV-ja ndonjë ftesë” për të biseduar për ndonjë marrëveshje eventuale.
Nëse do të vinte ndonjë ftesë, atë thotë se do ta shqyrtonin organet e LDK-së dhe vendimmarrja thekson se do të jetë e brendshme varësisht se cila do të jetë oferta e LVV-së.









