Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar për të parën herë në lidhje me tenderin e vitit 2025 për ndriçimin smart në kryeqytet. Ai nëpërmjet një postimi në Facebook, ka akuzuar Vetëvendosjen, konkretisht deputetin Ilir Kërçeli, se po mashtron opinionin në lidhje me shiritin sinjalizues, i cili në kontratën e Komunës është pozicionuar me çmim prej 8 euro e gjysmë për metër.
Rama ka thënë se ky çmim do të përfshijë furnizimin me material, transportin, angazhimin e punëtorëve, shtrirjen dhe vendosjen e shiritit, garancinë, mirëmbajtjen e TVSH-në.
“Për më tepër, kjo procedurë është trajtuar nga: Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), Auditorët e brendshëm, Auditorët e jashtëm, Hetuesia”, ka shkruar Rama.
“Nëse Ilir Kërçeli mendon që është më i dijshëm se të gjitha këto institucione dhe organe kompetente, le t’na kallxon”, ka shkruar Rama.
Megjithatë, në reagimin e tij, Rama nuk ka folur për pozicionet tjera që janë rritur për qindra e mijëra herë në krahasim me kontratën e vitit 2024.
VOX Kosova ka raportuar se disa pozicione kanë shkuar edhe nga 1 euro e 20 centë në 2 mijë e 300 euro, gjersa rritje ka pasur edhe në të tjera produkte.









