Kjo kontratë që kam në duar, e lëshuar në prill të vitit 2025 nga Komuna e Prishtinës për ndriçimin e kryeqytetit, pritet të jetë një bazë e mirë për Prokurorinë Speciale që të fillojë hetimet për abuzim me fondet publike.
Sepse, janë identifikuar çmime abuzive me shifra marramendëse ku produkteve u është rritur artificialisht vlera për mijëra herë.
Qe disa shembuj.
Në një kontratë të ngjashme në korrik të vitit 2024, furnizimi, transporti dhe montimi i koncentratorit RTU200Z, ishte pozicionuar me çmim prej 1 euro e 20 centë për njësi.
Në kontratën e vitit 2025, me të njëjtat specifika, ky koncentrator u pozicionua me 2 mijë e 300 euro për njësi. Pra 1 mijë e 1916 herë më shtrenjtë.
Në kontratën e vitit 2024, furnizimi, transporti dhe montimi i ndërprerësit difirencial me katër pole, e 63 amperë, ishte pozicionuar me çmim prej 50 centë.
Në vitin 2025, i njëjti produkt pozicionohet me çmim prej 55 eurosh.
Apo komunikuesi smart për shembull. I cili me të njëjtat specifika, në kontratën e vitit 2024 që ishte pozicionuar me 2 euro e gjysmë, në 2025 u bë 184 euro.
Dallime ka edhe në produkte tjera, të njëjta, për të cilat dha kontratë komuna.
Shembull, Trupi Ndriçues me specifika të njëjta në dy kontrata, nga 90 euro shkoi në 285 euro.
Apo një tjetër nga 80 në 267 euro.
Do të thotë, nga disa centa, në mijëra euro shkuan produkte të porositura nga Komuna e Prishtinës në dallim prej vetëm tetë muajsh.
Sipas kësaj kontrate, komunës së Prishtinës gati edhe rryma i kushtoi më lirë se pajisjet që e shpërndajnë.
Përparim Rama nuk ka dhënë akoma një sqarim të vetëm, si u bë që diçka që kushtonte me centë brenda nate kushtoi qindra euro?
Por, si duket ky është problemi i pashmangshëm i politikës në Kosovë. Disa nuk punojnë fare e të tjerë kur punojnë vjedhin.








