Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur zhgënjimin e saj në lidhje me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për refuzimin e kërkesës së saj për rivotim në Mitrovicë, duke bërë me dije se do t’i drejtohen Gjykatës Supreme.
“Ne e konsiderojmë këtë vendim të padrejtë dhe të pambështetur në realitetin e asaj që ka ndodhur në Mitrovicë. PDK ka paraqitur fakte, dëshmi dhe situata të dokumentuara që tregojnë qartë se procesi zgjedhor është cenuar dhe se vullneti i qytetarëve nuk është respektuar në mënyrën siç e kërkon ligji dhe standardet demokratike”, kanë thënë nga PDK.
Nga kjo parti kanë potencuar se nuk do të ndalen. “Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat ligjorë që garanton Kosova”.
“Hapi ynë i radhës është paraqitja e ankesës në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, e cila është instanca përfundimtare dhe vendimtare për të garantuar drejtësi dhe integritet të procesit zgjedhor”.
PDK, thonë ata, është dhe mbetet “në mbrojtje të votës së lirë, të drejtë dhe të pastër të qytetarëve. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa respektimin e ligjit dhe të vullnetit të shprehur të qytetarëve të Mitrovicës”.
“Drejtësia do të vijë. Ne do të vazhdojmë deri në fund”, potencuan ata ndër të tjera.









