Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës për ripërsëritje të raundit të dytë të zgjedhjeve në Mitrovicë, duke e konsideruar ankesën si të pabazuar.
PZAP ka thënë se pas shqyrtimit të pretendimeve të PDK-së dhe përgjigjes së KQZ-së, nuk ka gjetur bazë ligjore për ta shpallur të pavlefshëm procesin zgjedhor në Mitrovicë.
“Refuzohet si e pabazuar ankesa e subjektit politik PDK, me seli në Prishtinë, me të cilën është kërkuar që KQZ, brenda afatit ligjor, të urdhërohet të përsërisë procesin zgjedhor në Komunën e Mitrovicës së Jugut duke organizuar rivotim, në përputhje me ligjin dhe rregulloret përkatëse”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Ndryshe, gjatë verifikimit të votave në Mitrovicë në Qendrën e Numërimit të hënën, janë gjetur fletëvotime me numra serik që nuk i përkasin klasave dhe shkollave ku ato ishin të vendosura.
Pas kësaj, Prokuroria urdhëroi ndërprerjen e numërimit, ndërsa të martën urdhëroi rifillimin e numërimit.
Nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila ishte në garë në Mitrovicë me Vetëvendosjen, kanë thënë se do të ndjekin të gjitha procedurat ligjore për këtë rast, derisa kanë kërkuar që në Mitrovicë të ketë rivotim, për shkak se, siç thonë ata, procesi zgjedhor është cenuar.









