Kosova e ka pasur inflacionin më të lartë në rajon në muajin prill të vitit 2026.
Sipas të dhënave të EUROSTAT, që janë publikuar nga Ministri i Financave të Shqipërisë, Petrit Malaj, gjatë muajit prill, inflacioni në Kosovë ka qenë 7.5 për qind.
Vendi më inflacionin më të vogël në rajon është Shqipëria, me 2.8 për qind.
Pas saj është Serbia, me 3.6 për qind. Në të njëjtën shifër inflacioni është edhe në Mali të Zi.
Pas tyre vjen Maqedonia e Veriut me 5.7 për qind. Ndërsa, vendi me inflacionin më të lartë pas Kosovës është Bosnje e Hercegovina.
Sipas këtyre të dhënave, inflacioni në Bashkimin Evropian është 3.2 për qind.

Ndryshe nga këto dhëna, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, thonë vazhdimisht se në Kosovë nuk ka krizë ekonomike.
“Në Kosovë s’ka krizë ekonomike. Rritja ekonomike ne çerekun e dytë sivjet ka qenë 4.58 për qind të bruto produktit vendor. Në këto katër vite sa isha Kryeministër e tash edhe sa jam Kryeministër në detyrë asnjëherë rritja ekonomike nuk ka qenë nën 4 për qind rritja mesatare ekonomike është 6 për qind. Prandaj edhe nuk ka protesta të qytetarëve, por ka vetëm ankesa të opozitarëve”, kishte thënë Kurti më 19 nëntor 2025.
Këto nuk janë të dhënat e vetme që e nxjerrin keq Kosovën përsa i përket ekonomisë.
Sipas platformës WorldAtlas, e cila përdorë bazën e të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova është vendi i dytë më i varfër në Evropë.
Sipas të dhënave të kësaj platforme, GDP-ja për kokë banori në Kosovë vlerësohet rreth 20 mijë e 400 dollarë.
WorldAtlas publikoi më 17 maj, listën e 10 vendeve më të varfëra të Evropës për vitin 2025. Sipas kësaj platforme, Moldavia është vendi më i varfër në Evropë, ndërsa Kosova e dyta – më e varfër edhe se Ukraina e cila tash e disa vjet është në luftë me Rusinë.









