Kosova është vendi i dytë më i varfër në Evropë, sipas platformës WorldAtlas, e cila përdorë bazën e të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Sipas të dhënave të kësaj platforme, GDP-ja për kokë banori në Kosovë vlerësohet rreth 20 mijë e 400 dollarë.
WorldAtlas publikoi më 17 maj, listën e 10 vendeve më të varfëra të Evropës për vitin 2025. Sipas kësaj platforme, Moldavia është vendi më i varfër në Evropë, ndërsa Kosova e dyta.
Tek pjesa e Kosovës, thuhet se ekonomia e saj “është e vogël dhe e orientuar drejt shërbimeve, ku ndërtimi, tregtia me pakicë dhe remitancat përbëjnë pjesën më të madhe të aktivitetit të matur ekonomik”.
“Remitancat nga diaspora kosovare (e përqendruar në Gjermani, Zvicër dhe Austri) arrijnë rregullisht rreth 15% të GDP-së, një nga raportet më të larta në botë”, theksohet aty.
Rritja reale e GDP-së, potencohet aty, ka qenë mesatarisht rreth 4 për qind gjatë pesë viteve të fundit.
“Papunësia e të rinjve është afër 30% dhe një e treta e të rinjve kosovarë nuk janë as të punësuar, as në arsim apo trajnim”, nënvizohet aty.
Këto të dhëna nuk pasqyrojnë aspak deklarimet e Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, i cili thoshte se në Kosovë s’ka krizë ekonomike.
“Në Kosovë s’ka krizë ekonomike. Rritja ekonomike ne çerekun e dytë sivjet ka qenë 4.58 për qind të bruto produktit vendor. Në këto katër vite sa isha Kryeministër e tash edhe sa jam Kryeministër në detyrë asnjëherë rritja ekonomike nuk ka qenë nën 4 për qind rritja mesatare ekonomike është 6 për qind. Prandaj edhe nuk ka protesta të qytetarëve, por ka vetëm ankesa të opozitarëve”, kishte thënë Kurti më 19 nëntor 2025.
10 vendet më të varfëra në Evropë sipas WorldAtlas janë: Moldavia rreth 19 mijë e 700 dollarë, Kosova rreth 20 mijë e 400 dollarë, Ukraina rreth 21 mijë dollarë, Bosnja e Hercegovina rreth 22 mijë e 800 dollarë, Maqedonia e Veriut rreth 24 mijë e 300 dollarë, Bjellorusia rreth 25 mijë e 500 dollarë, Shqipëria rreth 25 mijë e 600 dollarë, Serbia rreth 28 mijë e 500 dollarë, Mali i Zi rreth 31 mijë dollarë dhe Bullgaria rreth 36 mijë dollarë.








