Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka njoftuar se ka biseduar përmes telefonit me ish-Presidentin Hashim Thaçi, i cili ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë si i akuzuar për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Hamza theksoi se ish-Presidentit ia ka përcjellur përshëndetjet, pritjet dhe mbështetjen e qytetarëve të Kosovës, por edhe besimin se më 16 shtator, dita kur do të shpallet aktgjykimi ndaj Thaçit dhe krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, drejtësia do të vihet në vend.

“Sapo përfundova një bisedë telefonike me Presidentin Thaçi. Edhe me Presidentin, ashtu si me Kryetarin Veseli disa ditë më parë, folëm për Kosovën, familjet, miqtë tanë dhe, mbi të gjitha, për qytetarët që nuk kanë reshtur asnjë ditë së besuari në rikthimin e tyre”, shkroi Hamza në Facebook.

Ai theksoi se me Thaçin kanë folur edhe për pritjen e gjatë për drejtësi, “një pritje e rënduar nga shtyrjet e vazhdueshme të shpalljes së aktgjykimit”. “Megjithatë, një gjë mbetet e qartë: drejtësia mund të vonohet, por nuk duhet të tjetërsohet”, shtoi ai.

“Presidentit ia përcolla përshëndetjet, pritjet dhe mbështetjen e qytetarëve të Kosovës, si dhe besimin se më 16 shtator drejtësia do të vihet në vend dhe ata do të kthehen të lirë në shtëpi”, potencoi Hamza.

Kreu i PDK-së tha se edhe Thaçi i ka kërkuar “t’ua përcjell përshëndetjet e tij më të përzemërta ju të gjithëve”. “Me qetësinë dhe besimin që e karakterizon, bisedën e përfunduam me shpresën se shumë shpejt do të shihemi në Kosovë”.

“Dielli do të lindë përsëri! Për çlirimtarët, për historinë tonë të lavdishme dhe për Kosovën!”, përfundoi ai.