Gjykata përmend volum të madh provash dhe kompleksitet të procesit si arsye për shtyrjen e vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Zvarritjet janë bërë rregull në Gjykatën Speciale.

Për të dytën herë, Paneli i Gjykatësve e ka shtyrë shpalljen e aktgjykimit në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë vendim, paneli është përpjekur që ta arsyetojë duke thënë se çështja kërkon më shumë kohë për shkak të vëllimit të jashtëzakonshëm të provave dhe kompleksitetit të procedurës.

Në njoftimin e publikuar të mërkurën, paneli gjykues thotë se afati për shpalljen e aktgjykimit është zgjatur deri më 16 shtator 2026, ndërsa seanca publike për shpalljen e tij është caktuar për atë datë, në orën 10:00.

Ndonëse thonë se janë të vetëdijshëm për kohën e gjatë që krerët e UÇK-së kanë kaluar në paraburgim, më shumë se 5 vjet, nga Specialja thonë se një zgjatje shtesë prej gati 60 ditësh “nuk do t’u shkaktojë dëm të pajustifikuar të akuzuarve”.

Zgjatja, sipas tyre, justifikohet “nga nevoja për të siguruar një vlerësim të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të arsyetuar të të gjithë materialit provues dhe nga kërkesa për një opinion të arsyetuar me shkrim që pasqyron saktësisht këtë material”.

“Trupi Gjykues është i bindur se asnjë zgjatje më e shkurtër nuk do t’i mundësonte atij përmbushjen e përgjegjësive në mënyrë adekuate”, thuhet në vendim.

Fillimisht, ishte paraparë që aktgjykimi ndaj krerëve të UÇK-së të shpallej më 19 maj, por më pas ishte shtyrë për 20 korrik. Ndërsa, tani është shtyrë sërish.

Sipas gjykatës, shtyrja është “absolutisht e domosdoshme”, pasi gjatë procesit janë administruar prova në përmasa të mëdha. Paneli thekson se ka shqyrtuar dëshmitë e rreth 270 dëshmitarëve, ka pranuar në prova 5 mijë e 467 eksponate dhe se transkripti i procedurës përbëhet nga 29 mijë e 238 faqe.

Paneli pretendon se koha shtesë është e nevojshme për të bërë një vlerësim të plotë dhe të drejtë të të gjitha provave, si dhe për të përgatitur një aktgjykim të arsyetuar me shkrim që pasqyron të gjithë materialin provues.

“Trupi Gjykues vlerëson se një zgjatje e mëtejshme është absolutisht e domosdoshme në kuptimin e Rregullës 159(1). Trupi Gjykues rikujton se, siç është përcaktuar në Urdhrin për Zgjatjen e Afatit për Shpalljen e Aktgjykimit të Gjykimit: (i) ka pranuar dëshmitë e rreth 270 dëshmitarëve (me gojë dhe me shkrim); (ii) ka pranuar 5,467 prova materiale në evidence; (iii) transkripti i këtyre procedurave është 29,238 faqe…”, thuhet aty.

“…dhe (iv) kompleksiteti i procedurave në këtë rast, përkatësisht fakti se rrethanat e çështjes mbulojnë më shumë se një vit e gjysmë dhe përfshijnë vende të shumta të pretenduara të krimit dhe një numër të konsiderueshëm incidentesh individuale. Për më tepër, procedurat lidhen me akuza ndaj katër të akuzuarve individualë, përgjegjësia e të cilëve duhet të shqyrtohet veçmas dhe me kujdes. Duke marrë parasysh sa më sipër, për të siguruar një vlerësim të plotë dhe të drejtë të tërësisë së provave dhe për të dhënë një opinion të arsyetuar që merr parasysh vëllimin e madh të provave dhe kompleksitetin e procedurave, Trupi Gjykues është i bindur se një zgjatje e mëtejshme është absolutisht e domosdoshme”, theksohet tutje.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020.

Ata akuzohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë deklaruar të pafajshëm.

Prokuroria e Speciales ka kërkuar nga 45 vjet dënim për secilin nga krerët e UÇK-së. Në total 180 vjet.

Procesi gjyqësor ndaj tyre filloi në prill të vitit 2023 – më shumë se tri vjet pas arrestimit. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), më 16 prill të 2025-së, njoftoi se kishte mbyllur paraqitjen e provave ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Në anën e krerëve të UÇK-së ka pasur dëshmitarë tejet të rëndësishëm ndërkombëtarë si ish-ndihmëssekretari Amerikan, James Rubin, ish-Komandanti i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Wesley Clark, ish-diplomati amerikan, Chris Hill etj.

Ata, ndër të tjera, kanë theksuar se UÇK-ja nuk ka pasur zinxhir komandues, ashtu siç tenton që ta paraqesë Prokuroria e Speciales.

Kundër mënyrës se si është zhvilluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë organizuar disa protesta, ku mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet kërkuan drejtësi. E fundit u mbajt në Prishtinë, më 17 shkurt. Para kësaj janë mbajtur edhe dy të tjera në Kryeqytetin e Kosovës, është mbajtur nga një edhe në Tiranë, Hagë, Strasburg e Shkup.

Nga njohësit e çështjeve juridike – si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë – vazhdimisht ka pasur kritika për mënyrën se si është zhvilluar procesi në Hagë. Është konsideruar si i anshëm, janë pranuar provat nga Serbia, ka pasur dyshime edhe se po shkelen të drejtat e njeriut dhe se janë fshehur prova shfajësuese.

Që të ketë proces të drejtë në Speciale është kërkuar edhe nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë. Më 12 shkurt, Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë miratuan rezoluta në mbrojtje të krerëve të UÇK-së, ku u kërkua, ndër të tjera, që Gjykata Speciale të sigurojë një proces gjyqësor të paanshëm.