“Trendi tregon që ka përparim në raport me shtetet e tjera”.
Kështu ka thënë Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, kur është pyetur për raportin e platformës WorldAtlas, e cila, duke përdorur bazën e të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, e renditi Kosovën si vendin e dytë më të varfër në Evropë, madje më të varfër edhe se Ukraina e cila është në luftë tash e sa vjet me Rusinë.
“FMN-ja aty ka raportuar të ardhurat për kokë banori të bazuara në fuqinë blerëse. Unë s’po e bëj vlerësimin, vetëm e thash që nëse shikohet trendi pra pyetja do duhej të ishte shtruar pak më ndryshe, sepse trendi tregon që ka përparim në raport me shtetet e tjera”, tha Murati.
Për dallim nga të gjithë të tjerët, posaçërisht nga opozita, Murati e vlerëson si trend pozitiv dhe theksoi se pret që në të ardhmen të kalohen edhe shtetet e tjera.
“Pra, kemi qenë në vendin e fundit gjatë qeverisjeve të kaluara, tash po kemi kalu për shembull Moldavinë dhe presim t’i kalojmë edhe shtetet e tjera nëse vazhdojmë me këtë trend”, potencoi ai.
WorldAtlas publikoi më 17 maj, listën e 10 vendeve më të varfëra të Evropës për vitin 2025. Sipas kësaj platforme, Moldavia është vendi më i varfër në Evropë, ndërsa Kosova e dyta.
Tek pjesa e Kosovës, thuhet se ekonomia e saj “është e vogël dhe e orientuar drejt shërbimeve, ku ndërtimi, tregtia me pakicë dhe remitancat përbëjnë pjesën më të madhe të aktivitetit të matur ekonomik”.
“Remitancat nga diaspora kosovare (e përqendruar në Gjermani, Zvicër dhe Austri) arrijnë rregullisht rreth 15% të GDP-së, një nga raportet më të larta në botë”, theksohet aty.
Rritja reale e GDP-së, potencohet aty, ka qenë mesatarisht rreth 4 për qind gjatë pesë viteve të fundit.
“Papunësia e të rinjve është afër 30% dhe një e treta e të rinjve kosovarë nuk janë as të punësuar, as në arsim apo trajnim”, nënvizohet aty.









