Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka reaguar kandidatit të Vetëvendosjes për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, i cili paralajmëroi se do të dorëzojë padi penale ndaj disa gazetarëve shkaku i EXIT POLL-eve të publikuara Ditën e Zgjedhjeve për komunën ku ai garon, e të cilat e vendosën fitues pa balotazh Arian Tahirin e PDK-së. Në reagimin e tij, AGK tha se “ky akt i Pecit është sulm brutal ndaj lirisë së raportimit në Kosovë”.

“AGK-ja e vlerëson paralajmërimin për padi kriminale ndaj gazetarëve si përpjekje e hapur për intimidim dhe pengim të punës së tyre si gazetarë. Ky akt i zotit Peci është sulm brutal ndaj lirisë së raportimit në Kosovë, dhe përpjekje për të dekurajuar punën e gazetarëve”, shkroi AGK në deklaratë.

Sipas AGK-së, paralajmërimi i Pecit është “tentativë për ta kaluar betejën nga politike në mediale”.

Në një veprim të paprecedentë, Faton Peci paralajmëroi sot padi penale ndaj gazetarëve dhe drejtorit të UBO-s, kompani kjo që Vetëvendosje e kishte paguar dhjetëra mijëra euro për sondazhe. Ky veprim i tij vjen një ditë pasi Prokuroria Themelore në Mitrovicë njoftoi për nisjen e hetimeve për vjedhje të votave.