Për disa vjet rresht, Vetëvendosje kishte paguar dhjetëra mijëra euro për UBO Consulting, që e njëjta t’ia kryente matjet e opinionit publik. Dje, kryetari i këtij subjekti, Albin Kurti, goditi këtë kompani dhe të tjerat të llojit për EXIT POLL-et në Mitrovicë. Madje, kërkoi hetim për to.
“Ajo çka ndodhi më 12 tetor rreth raportimeve për Mitrovicën duhet hetuar e hulumtuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për një huqje, por për një inxhiniering të paramenduar për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor. EXIT POLL-et e prezantuara gabimisht me 16 pikë përqindjeje dallim, e më tepër se aq nga më shumë se një organizatë dhe për të njëjtën komunë, dhe postimi i lajmeve të rreme se kush ishte fituesi ende pa u mbyllur vendvotimet, nuk janë thjesht një huqje. Kjo është cenim i demokracisë, i zgjedhjeve të lira dhe i integritetit e i sigurisë së shtetit tonë. I ftoj organet e drejtësisë dhe të sigurisë që të merren me këtë çështje”, tha Kurti në një konferencë për media.
Faktet thonë diçka tjetër. Për VV-në, organizatë më kredibile se UBO s’kishte. Sipas dokumenteve të KQZ-së, në vitin 2020 Vetëvendosje e kishte angazhuar kompaninë UBO Consulting të kryente hulumtime. Atë vit e paguante 10 mijë e 856 euro.

Një vit më vonë, e njëjta kompani kryente shërbime për Vetëvendosjen. Pagesa kësaj radhe ishte 5 mijë e 664 euro.

Sërish, më 2022 UBO Consulting angazhohej nga Vetëvendosje. Shërbimet e tyre, partisë së Kurtit i kushtonin plot 17 mijë e 129 euro.

Nuk ndalej. Partneriteti dhe besueshmëria e Kurtit ndaj UBO-së vazhdonte. Më 2023 e angazhonte sërish. Ia paguante 5 mijë e 664 euro.

Sërish, në vitin 2024, ia pagoi 9 mijë e 440 euro për këto shërbime.

Në total, veç nga deklarimet e ato që dihen, VV e pagoi UBO-në, 48 mijë e 753 euro.
UBO në EXIT POLL-in që publikoi pas mbylljes së vendvotimeve Ditën e Zgjedhjeve, më 12 tetor, e parashikoi fitues pa balotazh Arian Tahirin e PDK-së në Mitrovicë. Në rezultatet nga numërimi deri tash, Tahiri doli fitues mirëpo me një dallim prej vetëm 28 votash nga kundërkandidati nga Guxo e VV, Faton Peci.
UBO nuk ishte e vetmja. Edhe kompani të tjera bënë parashikime të përafërta, e madje edhe të fitores më bindëse të PDK-së në Mitrovicë. Përveç Kurtit, edhe akterë të tjerë të pushtetit kanë ngarendur në sulme ndaj UBO-s dhe mediave pas kësaj.