Shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, ka kërkuar që të ndalen sulmet personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, një ditë pasi që Kryeministri në detyrë i sulmoi ashpër gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Pavarësia gjyqësore ai konsideron se është një nga gurthemelet e sundimit të ligjit. “Pavarësia e gjyqtarëve duhet të respektohet nga të gjithë, në çdo kohë”, shkroi ai në X.

Sipas tij, ndërhyrja e panevojshme përmes sulmeve personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve është gjithmonë e papranueshme.

Në fjalimin e tij si i mandatuar për kryeministër të Qeverisë së re, Albin Kurti, e sulmoi në mënyrë të ashpër Gjykatën Kushtetuese për vendimet e saj. U ndal edhe te pesë nga gjyqtarët e Kushtetueses, duke i quajtur ata “relikte të trashëgimisë jo-kulturore”.

Kurti, teksa ka folur për vendimet e Kushtetueses, theksoi se ajo një herë të vonon e pastaj të rrëzon. Ai pretendoi se vendimet e Kushtetueses janë zakonisht të mbrapshta.