Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në fjalimin e tij si i mandatuar për kryeministër të Qeverisë së re, e sulmoi sërish në mënyrë të ashpër Gjykatën Kushtetuese për vendimet e saj.
“Gjykata Kushtetuese po funksionon si një hije politike e opozitës ndaj Vetëvendosjes. Gjykata mori masë të përkohshme sipas kërkesës së Listës Serbe, paarsyeshem, dhe kërkoi që 120 deputetë të mbeten të bllokuar deri më 30 shtator, plot 25 ditë kot”, ka thënë ai në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së.
Ai u ndal edhe te pesë nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
“Pesë nga shtatë gjyqtarët janë zgjedhur në vitin e largët 2018, kur në pushtet ishte koalicioni i PAN-it me Listën Serbe. Që atëherë ka ndryshuar shumë përbërja e Parlamentit, ka ndryshuar orientimi i qeverisë, ndërsa ata kanë mbetur aty si një relikte e trashëgimisë jo-kulturore. Në tetë raste, me vendimet e tyre kanë penguar nismat reformuese të qeverisë duke i shpallur antikushtetuese. Njëherë të vonojnë, e pastaj të rrëzojnë”, ka thënë Kurti.