Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) u ka bërë thirrje partive politike që të përmbahen nga deklaratat për çështjet që kanë të bëjnë me sistemin prokurorial dhe KPK-në në veçanti.
Ky reagim i KPK-së vjen një ditë pasi që Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e sulmoi Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, dhe tha se Prokuroria nuk ka nevojë që të jetë e pavarur nga Qeveria.
“KPK u bën thirrje të gjitha subjekteve politike dhe kandidatëve që gjatë fushatës zgjedhore që filloi më 28 maj 2026, të përmbahen nga deklaratat dhe retorika, si dhe të mos përdorin dhe të mos nxisin në diskursin e tyre publik gjatë fushatës zgjedhore çështjet që kanë të bëjnë me sistemin prokurorial në përgjithësi dhe me KPK-në në veçanti”, thuhet në reagimin e KPK-së.
Ata kanë vlerësuar se instrumentalizimi i çështjeve që lidhen me institucionet e drejtësisë “për qëllime politike ose elektorale dëmton imazhin dhe besimin e publikut në sundimin e ligjit dhe në funksionimin e pavarur të sistemit prokurorial”.
“KPK mbetet e përkushtuar në ushtrimin e mandatit të saj kushtetues dhe ligjor, në mbrojtjen e pavarësisë së sistemit prokurorial dhe në forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, theksohet aty.
Në një intervistë për emisionin Politiko në Kanal 10, derisa po e sulmonte Isufajn, Kurti tha se Prokuroria nuk ka nevojë që të jetë e pavarur nga Qeveria.
“Prokuroria nuk është e pavarur realisht nga Qeveria edhe në plot vende evropiane. Gjyqësori është ai. Por tash ne e kemi një situatë ku kemi njëfarë pushteti politik në Prokurori, i cili ia heq urdhërarrestin kryekriminelit Radojçiç”, deklaroi Kurti.
Kurti u shpreh kategorikisht kundër që Isufaj të bëhet Kryeprokuror i Shtetit, madje, aludoi se edhe dikush po e shtyen atë që të insistojë për ta marrë këtë pozitë.
“Unë po them që ky nuk bën [Blerim Isufaj]. Unë nuk po them ky duhet. 200 prokurorë i ka Kosova, asnjëherë nuk kam thënë se filani ose fistekja duhet të bëhen. Veç unë po them që ky nuk bën. Ky që e ka lëshu Radojicicin nuk bën. Ky ia ka heq urdhërarrestin Radojçiçit. Nuk bën ky me u bë Kryeprokuror”, tha Kurti.
Madje, sipas Kurtit edhe vetë Isufaj “e di që nuk bën” të bëhet Kryeprokuror i Shtetit.
“Është shumë interesant që po insiston. Kush qëndron prapa atij personi që e shtyn të insiston, ose a është aq irracional saqë pavarësisht që tre krerët shtetërorë, publikisht janë deklaruar kundër tij, ai insiston të bëhet kryeprokuror. Thellësisht nuk është në rregull”, potencoi ai ndër të tjera.









