Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se një ditë Kosova do të ketë prokurorë të guximshëm që do ta hetojnë Ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, dhe shefin e tij, Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Këto komente, Gruda i ka bërë përmes një postimi në Facebook, duke kritikuar vendimin e Qeverisë për subvencionimin e linjave ajrore që lidhin Aeroportin “Adem Jashari” me aeroportet nga vjen mërgata e Kosovës, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.
Gruda ka theksuar se Murati duhet ta dijë se buxheti i Kosovës “nuk është pronë private dhe as thes me para i një fisi, që mund të shpërndahet sipas vullnetit të tij”. “Paratë publike janë të qytetarëve dhe askush nuk ka të drejtë t’i trajtojë ato si pasuri personale apo partiake”, shtoi ai.
“Një ditë, ky vend do të ketë prokurorë të guximshëm që do ta hetojnë atë dhe shefin e tij për çdo abuzim me pushtetin dhe paranë publike”, potencoi ai.
Vendimin e së martës për subvencionimin e linjave ajrore, opozita dhe një pjesë e shoqërisë civile e konsideroi si tentativa për blerje të votave të diasporës.
Për këtë çështje reagoi Kurti. Ai tha se vendimin e kanë marrë gjoja për të nxitur turizmin e jo për të blerë vota.
“Subvencionimin e linjave ajrore për destinacione të caktuara e bëjnë shumica e shteteve ne rajon e më gjerë, me qëllim nxitjen e turizmit”, shkroi Kurti të mërkurën në Facebook.









