Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendimi për subvencionimin e linjave ajrore që lidhin Aeroportin “Adem Jashari” me aeroportet nga vjen mërgata e Kosovës, në vlerë prej 2 milionë eurove, vetëm disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, e kanë marrë gjoja për të nxitur turizmin e jo për të blerë vota, siç theksuan nga opozita e një pjesë e shoqërisë civile.

“Subvencionimin e linjave ajrore për destinacione të caktuara e bëjnë shumica e shteteve ne rajon e më gjerë, me qëllim nxitjen e turizmit”, shkroi Kurti të mërkurën në Facebook.

Ai theksoi se përballë rrezikut që një pjesë e fluturimeve të planifikuara gjatë muajve të verës – korrik dhe gusht – të anulohen për shkak të rritjes së karburantit, vendimi për të subvencionuar linjat ajrore që lidhin destinacionet e mërgatës, “u bë i domosdoshëm”.

“Me mërgatën tonë të mrekullueshme që nuk humb asnjë vit pa ardhur në vendlindje, ne e kemi edhe një arsye më shumë që ta bëjmë këtë. E përballë rrezikut që një pjesë e fluturimeve të planifikuara gjatë muajve korrik dhe gusht të anulohen për shkak të rritjes së kostos së karburantit, vendimi ynë i djeshëm për të subvencionuar linjat ajrore që lidhin destinacionet e mërgatës sonë u bë i domosdoshëm”, potencoi ai.

Anulimi i fluturimeve në muajt e verës, thekson Kryeministri në detyrë, “do të nënkuptonte që një numër i konsiderueshëm i bashkatdhetarëve të mos mund te vinin siç vijnë zakonisht në muajt korrik dhe gusht”. “E kjo do të ishte keq për ta dhe familjet e tyre, por do të ishte fatale edhe për ekonominë e vendit. Prandaj kam angazhuar ministrat Hekuran Murati dhe Dimal Basha për të parë mundësinë e një mase që do ta parandalonte një situatë të tillë”.

Vendimi i së martës për të ndarë 2 milionë euro, ai thekson se “ka për qëllim subvencionimin e linjave ajrore që lidhin Aeroportin ‘Adem Jashari’ me aeroportet prej nga vijnë mërgata jonë, dhe mbulon periudhën e mbetur të sezonit veror të aviacionit, që është deri në fund të muajit tetor”.

Në këtë drejtim, sipas tij, nuk bëhet fjalë për “blerje votash”.

“Pra nuk bëhet fjalë për blerje biletash apo ardhje të organizuar për zgjedhje, siç u pretendua nga disa qarqe të bllokut opozitar. Kjo është një skemë mbështetëse sikurse e bëjnë shumica e shteteve të rajonit, e cila mundëson që mërgata jonë të mund të vijnë e të na vizitojnë edhe këtë verë, sikurse çdo vit”, përfundoi ai.