Kur në vitin 2017, ish-deputeti që atë kohë i përkiste Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, grushtonte brutalisht në një emision të drejtpërdrejtë në Klan Kosova, atë kohë kolegun e tij nga Nisma, Milaim Zekën, subjekti ku ai bënte pjesë i dilte në mbrojtje. Thoshte, se “është e vështirë të debatosh me Milaim Zekën”, pasi sipas Vetëvendosjes, “ai nuk flet në gjuhën e argumenteve”.
“Është tepër e vështirë edhe të fillosh të debatosh me Milaim Zekën, pasi ai nuk flet me gjuhën e argumenteve, por me fyerjen dhe shpifjen e gjuhës së dhunës së pushtetit. Sot, Frashër Krasniqit iu bë e pamundur të diskutojë me Milaim Zekën në Klan Kosova për shkak të akuzave të rënda e shpifjeve nga më të ultat”, arsyetohej Vetëvendosje, duke “shprehur keqardhje për atë që ka ndodhur”, mirëpo duke mos u distancuar nga ngjarja.

Por tjetër standard përdoret sot. Në lidhje me një përleshje të raportuar mes Kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku e shefit të degës së VV-së në Skenderaj, Hysni Mehani, kjo parti, e secili zyrtar i saj po kërkon llogaridhënie e distancim nga Partia Demokratike e Kosovës, ku bën pjesë i pari i Skenderajt.
“Ky sulm fizik bandistesk tregon qartë për se këta njerëz nuk e kanë vendin në udhëheqje të institucione publike qendrore e lokale. Kërkojmë nga organet kompetente të trajtojnë rastin me urgjencë dhe ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore ndaj përgjegjësve. Po ashtu, kërkojmë nga Partia Demokratike e Kosovës dënimin e këtij akti”, tha Vetëvendosje sot, për incidentin mes Mehanit e Lushtakut.
E kryeministri Kurti, e quajti incidentin “qyqar e banditesk”.
“Hysni Mehani u sulmua me grushte dhe u godit në kokë me gotë teksa po pinte kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të tjerë. Qeveria e Kosovës e dënon këtë sulm qyqar dhe të papranueshëm që shpërfaqë mendësinë banditeske”, tha Kurti.









