Vendosja e bustit të komandantit legjendar Adem Jashari në kryeqytet vazhdon të mbetet e bllokuar, ndërsa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka fajësuar nivelin qendror për mosrealizimin e këtij projekti.

Pas përurimit të rrugës “Frank G. Wisner” në lagjen “Arbëria”, Rama tha se Komuna e Prishtinës i ka përfunduar të gjitha procedurat për vendosjen e bustit, të paralajmëruar që nga viti 2024.

Në një prononcim për Klan Kosova, ai deklaroi se pengesat nga niveli qendror po e pamundësojnë realizimin e projektit, duke përmendur edhe bllokimin e projektit në rrugën “Agim Ramadani”.

“Ne e kemi përfundu krejt procesin, e dini që rruga ‘Agim Ramadani’ ku e kemi nënkalimin, ku faktikisht kemi mbetur vetëm me nënshkru kontratën edhe me kriju nënkalimin, e kemi të bllokum tash e më shumë se dy vjet prej nivelit qendror”, deklaroi Rama për Klan Kosova.

Ai shkoi edhe më tej me kritikat ndaj Qeverisë, duke thënë se bllokadat po e pengojnë edhe nderimin e heronjve të vendit.

“Pra janë për fat të keq të gjitha këto bllokada që na bëhen prej nivelit qendror që s’na lojnë as mi nderu heronjtë tanë, më të dashurit tanë”, u shpreh ai.

Rama nuk e përjashtoi mundësinë që busti i Adem Jasharit të vendoset në një lokacion tjetër, nëse pengesat aktuale vazhdojnë.

“Nashta kur t’i hekim prej qeverisë këta njerëz që sabotojnë këtë vend atëherë merr epilog, përndryshe duhet me gjetë një alternativë, një vend tjetër”, tha Rama.