“Pakistani është fuqi bërthamore. Unë nuk e kam parasysh prej nga keni një imazh të tillë të zvetnuar për Pakistanin. Por kjo është çështje e juaja dhe nuk është temë për sot”. Kjo është përgjigja që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i dha deputetes, Ariana Musliu – Shoshi, kur kjo e fundit tha se gjendja e arsimit në Kosovë është më e keqe se në Pakistan.

Me gjasë, Kryeministri i Kosovës, nuk i di këto fakte:

Në vitin 2025, një artikull i “Arab News”, e përshkruante gjendjen në arsimin pakistanez, si “aparteidi arsimor”. Aty, theksohet fakti se mbi 26 milionë fëmijë në Pakistan janë jashtë sistemit shkollor. Shumica e tyre jetojnë në zona rurale, sipas të dhënave zyrtare të qeverisë. Kjo është një ndër normat më të larta në botë.

Siç shkruan “Arab News”, në Pakistan, varfëria është faktori kryesor që i mban fëmijët larg bankave shkollore. Por, situata rëndohet edhe nga infrastruktura e pamjaftueshme, mësimdhënësit me kualifikim të ulët, barrierat kulturore dhe pasojat e motit ekstrem, të nxitura nga ndryshimet klimatike.

Madje aq e keqe përshkruhet gjendja në arsimin pakistanez, sa që prindërit, konsiderohet se duke “kuptuar se fëmijët e tyre nuk mund të konkurrojnë për vende pune me ata që kanë ndjekur shkolla më cilësore, po preferojnë t’i aftësojnë ata në zanate dhe punë praktike”.

Sipas një raporti të vitit 2025 nga UNICEF apo Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, Pakistani po përballet me një nga krizat më të rënda arsimore në botë. Më shumë se një në tre fëmijë të moshës 5 deri në 16 vjeç, përkatësisht mbi 36 për qind e tyre, janë jashtë sistemit shkollor. Kjo e rendit vendin të dytin në botë për nga numri i përgjithshëm i fëmijëve që nuk vijojnë shkollimin.

Sipas një raportimi tjetër nga “Dawn”, një nga gazetat më të famshme në Pakistan, 77 për qind e 10-vjeçarëve atje s’janë në gjendje të lexojnë e kuptojnë një tekst të thjeshtë.

Një raport tjetër nga UNwomen, përmend edhe mijëra shkolla fantazmë, që ekzistojnë veç në letër, por jo në realitet.