Sipas ish-Kryetarit të Aleancës, Ramush Haradinaj, ish-Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, u shkarkua nga pozita “veç pse guxoi ta sulmojë mafian energjetike”. Në një intervistë në Kanal10, Haradinaj thotë se “thyrja” mes Isufajt e Kurtit u bë kur ish-kreu i organit special të akuzës u mor me aferën korruptive të Nagip Krasniqit, ish-Kryeshef në Korporatën Energjetike, në të cilën u përfshi edhe Koordinatorja e Komiteteve në VV, Dejona Mihali.

“Rasti që e ka bë thyrjen publike mes Albin Kurtit dhe Blerim Isufajt është KEK-u, Nagip Krasniqi, e-mailat e tij dhe Dejonës. Aty ka ardhë në Parlament dhe e ka sulmu Kryeprokurorin. Për me e mujtë me e mshefë që ky po e sulmon mafian energjetike, atëherë ai ka pasë me i thanë edhe je djalë i Millosheviçit veç me e fsheh ku është problemi. Problemi është që një Kryeprokuror i Kosovës guxoi me e sulmu lidhjen e shkurtë korruptive dhe mafian energjetike”, thotë Haradinaj.

Siç thotë Haradinaj, Kosova sot importon më shumë se kurrë mallra nga Serbia, të cilat siç shprehet ai, “e kanë pushtuar tregun”. Edhe rryma, sipas Haradinajt importohet nga Serbia.

“Ne sot importojmë nga Serbia ma shumë së gjithë. Mallrat e Serbisë e kanë pushtu Kosovën. Nga zero euro import, sot ne jemi treg i tyre. Nga dy projekte me prodhu energji në Kosovë, njëri 450 më me qymyr, tjetri 500. 950 megaëatë të ri ne na mungojnë sot 600 megaëatë që po i blejmë. Me pare të popullit po i blejmë në Serbi”, thotë ai.

“Ata po rrejnë. Prej ku vjen energjia? Ku po i marrin tjetër kund? Krejt klubi i Albinit edhe i Dejonës, shesin e blejnë rrymë në Kosovë, dhe vjedhin kah dy herë, njëherë me çmim të vlerës, e njëherë me çmim të transportit”, shton.