Bota nuk është e pa mësuar me tregime të fabrikuara të liderëve që prezantojnë të dhëna fiktive mbi projekte imagjinare.
Shqiptarët sidomos e njohin mirë këtë zhanër, prej kur Enver Hoxha u tregonte sa bukur po jetonin dhe ata duhej t’i besonin atij e jo mjerimit të tyre.
Ama kjo ndodhte në shekullin e kaluar.
Enver Hoxha ka vdekur, por zakoni i tij, si duket, po mbijeton.
Në një interpretim besnik të kësaj tradite të moçme propagandistike mund të lexohet edhe raporti i fundit 57-faqësh i prezantuar së voni nga Vetëvendosja, ku janë renditur projekte që janë të vërteta aq sa mirëqenia e qytetarëve në Shqipërinë komuniste.
I gjithë raporti “i te arriturave” është një rrenë që reciklon premtime e projekte të çdo fushate, që natyrisht nuk shihen me sy të njeriut, shumica e tyre janë në letër, në planifikim buxhetor dhe të tjra veç në imagjinimin kreativ të kryeministrit Kurti.
Rrenat këtu janë lehtësisht të demantueshme dhe bash në dokumentin e tyre.
Mjafton të hysh në faqen 4 ku paraqesin projektet e energjisë, ku nga 5 projekte që paraqiten si arritje, 4 prej tyre janë akoma në tenderim, që s’është vendosur asnjë gozhdë për to.
Vazhdojmë pak më poshtë te faqja e 5, te infrastruktura.
Si arritje paraqiten hekurudhat, ajo Prishtinë-Durrës dhe ajo e Fushë Kosovës Klinë-Pejë, dhe kur zhytesh më thellë në tekst e kupton që thjeshtë kanë studiuar fizibilitetin, dhe po projektojnë.
Pra kanë bërë: ASGJË.
Në secilën faqe është e njëjta.
Në secilën faqe gjejmë diçka që të gjithë e dinë që nuk e prek realitetin.
Flitet për barna të bollshme të listës esenciale, derisa çdo ditë raportohet për vdekje si pasojë e mungesës së këtyre barnave.
Flitet për barazi në punësim, kur të gjitha institucionet e administratat mbushen me militantë e familjarë të partisë.
Por po ta ballafaqosh Albin Kurtin me këto gënjeshtra ai na jep një arsyetim që po ashtu e kemi parë moti, shumë moti.










