Studentët në Shqipëri kanë njoftuar krijimin e një partie të re politike. Pas protestave të vazhdueshme në rrugë, ata kanë njoftuar se do të formojnë një subjekt të ri politik, pjesë e së cilit do të jenë individë të ndryshëm nga Shqipëria e diaspora. Partia do të ketë emërtimin “Të Bashkuar për Shqipërinë”.

“Ne, një grup studentësh së bashku me të rinj, atdhetarë dhe profesionistë të fushave të ndryshme nga qytete të ndryshme të Shqipërisë si dhe nga diaspora, deklarojmë sot me zë dhe me figurë themelimin e Partisë së Bashkuar për Shqipërinë. Një parti e hapur për këdo që beson se Shqipëria mund të qeveriset me drejtësi, meritokraci, përgjegjësi, transparencë në shërbim të popullit. Për 180 ditë mijëra të rinj, prindër, mësues dhe qytetarë kanë treguar se Shqipëria nuk është lodhur. Ajo është zgjuar dhe është e bashkuar. Ky zë u përket të gjithë atyreve që u bashkuan kërkesave të protestuesve. Partia të Bashkuar për Shqipërinë do t’ju afrojë atyre një rrugë kushtetuese drejt vendosjes së shtetit të së drejtës”, thuhet në komunikatën e tyre.

Ky subjekt, siç thuhet në komunikatë, “në javët në vijim do të jetë në takime të vazhdueshme me qytetarë”.

“Prandaj ne nuk vijmë me një program të shkruar pas dyerve të mbyllura. Në javët në vijim do të jemi pranë jush me qytete dhe në fshatra si dhe kudo ku jetojnë bashkatdhetarët tanë. duam të bashkojmë zërat, përvojat dhe vullnetin e shqiptarëve për të ndërtuar së bashku një alternativë të re, për të bashkuar Shqipërinë, për t’i dhënë vendit drejtimin që meriton. Ne nuk bëjmë premtime. Ne vendosim standarte. Çdo angazhimi i yni do të ketë një objektiv të matshëm, një përgjegjës me emër, një kosto të llogaritur dhe një afat”, thuhet tutje.

Ndërkohë, nuk është sqaruar ende se kush do të jetë pjesë kryesuese dhe përbërëse e kësaj partie.