Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një valë të re tarifash doganore, ndërsa Presidenti Donald Trump po vazhdon të zbatojë politikën e tij kryesore tregtare, raporton BBC.

Taksat e reja ndaj mallrave të importuara në SHBA pritet të prekin shumë prej partnerëve më të mëdhenj tregtarë të SHBA-ve, përfshirë Kinën, Bashkimin Evropian dhe 12 juridiksione të tjera.

Ky vendim vjen pas hetimit të Shtëpisë së Bardhë për praktikat tregtare të vendeve të tjera, të nisur në mars, pasi Gjykata Supreme e SHBA-së vendosi se tarifat e shpallura më parë nga Trump, të njohura si tarifat e “Ditës së Çlirimit”, ishin të paligjshme.

Kina përballet me normën më të lartë, deri në 40 për qind, e ndjekur nga Vietnami me deri në 35 për qind. Vendet e tjera do të përballen me tarifa prej 20 ose 25 për qind.

Tarifat e reja nuk pritet të hyjnë në fuqi deri vitin e ardhshëm.

Tarifat doganore janë taksa që vendosen mbi mallrat e importuara. Ato zakonisht llogariten si përqindje e vlerës së produktit dhe paguhen në buxhetin e shtetit nga kompanitë që importojnë mallra nga jashtë.

Megjithatë, disa prej këtyre normave do të jenë më të ulëta në praktikë, për shkak të kufizimeve mbi tarifat që Trump ka pranuar. Gjithashtu, secili shtet përballet me detyrime të ndryshme.

Tarifat e propozuara do të prekin Kinën, Bashkimin Evropian, Singaporin, Zvicrën, Indonezinë, Malajzinë, Kamboxhian, Tajlandën, Korenë e Jugut, Vietnamin, Tajvanin, Bangladeshin, Japoninë dhe Indinë.

Përfaqësuesi i Tregtisë i Shteteve të Bashkuara, Jamieson Greer, tha se tarifat e fundit do të “krijojnë kushte të barabarta për punëtorët amerikanë dhe do të përcaktojnë një drejtim të ri e më të qëndrueshëm për ekonominë botërore”.

Ai pretendoi se shumë prej partnerëve tregtarë të SHBA-së kanë ndjekur “për dekada” strategji industriale që përfshijnë “shënjestrimin e prodhimit, shtypjen e pagave dhe të të drejtave të punëtorëve”, si dhe praktika të tjera që shtrembërojnë tregun në favor të tyre, duke dobësuar bazën prodhuese amerikane.

Megjithatë, ekonomistët kanë paralajmëruar se tarifat mund të nxisin inflacionin dhe të rrisin çmimet për konsumatorët, nëse kompanitë ua bartin atyre kostot më të larta. Ato gjithashtu mund të frenojnë tregtinë globale.

Trump ka kërcënuar vazhdimisht me vendosjen e tarifave ose i ka zbatuar ato gjatë mandatit të tij të dytë, duke argumentuar se kjo politikë do të forcojë prodhimin amerikan dhe do të krijojë vende të reja pune.

Pavarësisht rezultatit të dobët të Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, Trump ka vazhduar të këmbëngulë në zbatimin e politikës së tij kryesore tregtare.

Trump synon gjithashtu të zvogëlojë deficitin tregtar të SHBA-së, që nënkupton diferencën mes vlerës së mallrave që vendi blen nga shtetet e tjera dhe atyre që u shet.

Njoftimi i ri pritet të shtojë tensionet mes SHBA-së dhe Kinës, dy ekonomive më të mëdha në botë, të cilat vazhdojnë të jenë të përfshira në një konflikt tregtar dhe në garën për inteligjencën artificiale.

Dy vendet janë përfshirë edhe në një luftë reciproke tarifore, e cila aktualisht është pezulluar.

Pavarësisht takimit të javës së kaluar mes Trump-it dhe Presidentit kinez, Xi Jinping, asnjëra palë nuk njoftoi për vazhdimin e armëpushimit tregtar, i cili pritet të përfundojë më 10 janar.

Ndërkohë, Komisioni Evropian i ka kundërshtuar tarifat e reja amerikane dhe ka bërë të ditur se do të shqyrtojë arsyet e SHBA-së për vendosjen e tyre. Komisioni theksoi se tarifat janë të kufizuara në nivelin prej 15 për qind, për të cilin ishte arritur më parë marrëveshje.