Zvarritja që po ndodh me Ligjin për Gjykatën Speciale, ish-Kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka thënë se është e dëmshme.
Këto komente, Haradinaj i bëri në hollin e Kuvendit të enjten, para se të hynte në seancën plenare.
“Ligji është votu në Parlamentin e Kosovës me një shumicë shumë të madhe, mbi 100 deputetë. Tërheqja nuk është në emrin tonë, në emër të Aleancës, pra nuk ka ndodh [nga ne]. Kush e ka bërë tërheqjen, duhet ta marrë seriozisht këtë proces dhe ta mbyllë. Pra, ta rikthen, ta voton”, tha Haradinaj.
Ligji për Gjykatën Speciale ishte miratuar nga Kuvendi më 6 tetor. Por, me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ligji u kthye në Kuvend për rishqyrtim.
Më pas, pritej që i njëjti ligji të votohej në Kuvend dhe pastaj të bëhej amendamentimi i tij. Mirëpo, kjo nuk ndodhi.
Në ditën kur pritej të rivotohej, Kryeministri Albin Kurti njoftoi se do të sjellet një ligji i ri për Specialen që do të hartohej nga Grupi Punues për Apelin në Hagë, që udhëhiqet nga Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
Javën e kaluar, Kurti dhe Ushtruesja e Detyrës së Kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, thanë se ligji i ri do të sillet këtë javë, por deri tani kjo nuk ka ndodhur.
Në këtë drejtim, Haradinaj tha se një “zhagitje çfarë po ndodh është e turpshme dhe e dëmshme”.
Ligji ishte iniciuar nga PDK-ja pasi që Gjykata Speciale kishte dënuar me 81 vjet burg ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.











