Marta Kos, Komisionerja e Bashkimit Evropian (BE) për Zgjerim, ka thënë se formimi i qeverisë së re në Kosovë paraqet një mundësi për të arritur reformat e parapara në Planin e Rritjes që kështu të fitojë më shumë fonde.
Kos, në Samitin e Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, që po mbahet të premten në Tiranë, i ka thënë Kryeministrit Albin Kurti se në dhjetor do ta vizitojë Kosovën dhe do të diskutojnë se si mund të çohet përpara ky proces.
“Në Kosovë, i dashur Albin, Qeveria e re është gjithashtu një mundësi e re për të pasur një fokus të ri për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së, dhe kjo është një mundësi për të arritur reformat që ofrohen nga Plani i Rritjes dhe për të marrë më shumë fonde dhe më shumë kënaqësi do të vijë në Kosovë në fillim të dhjetorit për të folur, se si mund ta çojmë më tej këtë proces dhe ta zgjerojmë atë. Tashmë që ju i keni të gjitha institucionet”, tha Kos.
Në fillim të nëntorit, Kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zylfaj, kishte thënë se Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes së Unionit, pasi që nuk kishte arritur të përmbushë gjashtë nga 13 hapat e reformave, të cilat ishin të afatizuara deri në qershor të këtij viti.
Këto humbje të milionave, Zylfaj ia kishte faturuar bllokadës politike.
Ndërkohë, Kurti është duke kërkuar nga Bashkimi Evropian vazhdimisht që t’ia jap Kosovës statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllokun evropian.










