Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, kërkoi nga Drejtori i Shkollës “Hivzi Sylejmani” të japë dorëheqje, pasi që në një tubim për nder të 28 nëntorit, ai konstatoi se nuk mori pjesë stafi i shkollës. Këtë kërkesë, Prebreza e parashtroi publikisht në një fjalim që mbajti gjatë ditës së enjte(26 nëntor), duke kërkuar gjithashtu edhe vërejtje për personelin e shkollës që mungoi. Por, përveçse Drejtori i Shkollës refuzoi masat, ai i Arsimit në Komunë, dha krejt dorëheqje.

“Siç po e vëreni në këtë manifestim, salla nuk është e mbushur plotë. Konsideroj i gjithë kolektivi që gjindet në këtë shkollë e që duhet të jetë një numër i caktuar, mospjesëmarrja e tyre është bojkot në këtë datë të madhe të historisë së popullit shqiptar. Nga kjo foltore, kërkoj dorëheqjen e drejtorit të kësaj shkolle edhe vërejtje për të gjithë personelin e kësaj shkolle sepse bojkotimi i kësaj date është fatkeqësi, edhe është dështim dhe nënçmim për të gjithë këta këtu”, tha Prebreza.

Një kërkesë e tillë është refuzuar nga drejtori i Shkollës “Hivzi Sylejmani”, Amir Pllana. Ky i fundit shkroi se ishte i pranishëm e i ulur në rendin e parë.

“Unë isha aty, i ulur në rendin e parë, derisa Kryetari i Komunës kërkoi dorëheqjen time dhe vërejtje për gjithë personelin e shkollës – duke konstatuar pa asnjë fakt që mungesa e tyre ishte bojkot”, ka shkruar Pllana.

“Unë nuk marr masa ndaj mësimdhënësve që nuk kanë qenë të pranishëm në këtë ceremoni. Unë bashkë me stafin tim sot kemi pritur mirënjohje dhe nderim në shtetndërtim”, shton.

Në anën tjetër, pas situatës së krijuar, ka dhënë dorëheqje Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Sabri Xhigoli.

“E kam dhënë dorëheqjen, por kam dhënë për shkak të situatës së djeshme. Dje ishte njëra nga arsyet që kam dhënë. Unë e vlerësoj shumë stafin e Hivzi Sylejmanit. Shumë është kërkuar dorëheqja sikur kanë munguar mësimdhënësit dhe nxënësit dje. Por kjo nuk është bërë nën patronatin e Drejtorisë së Arsimit, por të Kulturës”, ka thënë Xhigoli për Nacionalen.