Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka thënë se rasti gjyqësor për spiunazh ndaj punonjës së saj, Jelena Gjukanoviç, “ka të bëjë me një individ”.
Këto komente, OSBE i ka bërë në një përgjigje për Radio Evropa e Lirë, ku kanë theksuar se e respektojnë vendimin dënues të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Misioni e respekton rolin e gjyqësorit dhe parimet bazë ligjore të procesit të rregullt ligjor dhe prezumimit, si dhe vendimin e gjykatës [ndaj Gjukanoviç-it]”, kanë theksuar nga OSBE, pa dashur që ta komentojnë rastin.
Gjukanoviç u dënua më 27 prill me 6 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë për spiunazh.
Gjukanoviç ishte prezente në seancë kur iu shqiptua dënimi.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, si zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë ajo ka përcjellur informacione për agjentin rezident të agjencisë serbe të inteligjencës, Aleksandër Vlajiç, të cilat më pas janë transmetuar te zyrtarët e lartë të BIA-s në Beograd.
Gjukanoviç ishte arrestuar më 28 shkurt të vitit 2025, ndërsa në shtator iu ishte ngritur aktakuzë.









