Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar për dërgimin e forcave speciale mbrëmë në Skënderaj – duke e quajtur veprim me urdhër politik, dhe i ka kërkuar Albin Kurtit të ndalojë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë partiakë.

“Mbrëmë pamë skena aspak të mira, ku Policia e Kosovës, me urdhër të Qeverisë, dërgoi njësi speciale në Drenicë me prapavija presioni dhe demonstrimi force. E porosis kryeministrin në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndërpresë urrejtjen dhe, para së gjithash, t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë të tij partiakë”, ka shkruar Hamza.

“Ai nuk mund ta parandalojë braktisjen nga votuesit me skenarë të rrezikshëm përçarës. Ndalu, Albin!”.

Kreu i PDK-së ka kërkuar nga “votuesit e PDK-së dhe nga të gjithë qytetarët ta ruajnë gjakftohtësinë dhe të fokusohen në datën 7 qershor”.

Sipas tij, aty do të jepet me votë përgjigjja ndaj politikës së përçarjes.

Një numër i madh i policëve të Njësisë Speciale Operative është parë në Skenderaj në orët e mesnatës mes datës 14 e 15 maj. Këto lëvizje të Njësive të trajnuara për operacione të ndërlikuara në terren e operacione me rrezikshmëri të lartë, vijnë disa orë pas një përleshje që dyshohet të ketë ndodhur në këtë qytet mes Kryetarit të Komunës, Sami Lushtaku, dhe shefit të Vetëvendosjes në Skenderaj, Hysni Mehani – të cilën, Prokuroria në komunikatën e saj e cilësoi si “lëndim të lehtë trupor”.