Dy persona janë ndaluar në lidhje me incidentin e kësaj të enjtjeje (14 maj) në Skenderaj, ku në një përplasje fizike dyshohet se u përfshinë kryetari i Komunës, Sami Lushtaku, dhe kryetari i degës së VV-së në Skenderaj, Hysni Mehani. Prokuroria Themelore e Mitrovicës, në një njoftim për media tha se të arrestuarit janë dy personat me inicialet E.L dhe B.N. Për Lushtakun, tha se nuk i është përgjigjur ftesës për intervistim.

“Janë intervistuar në cilësinë e viktimave H.M., dhe B.Z., pesë (5) dëshmitarë si dhe dy (2) të dyshuar me iniciale E.L., dhe B.N., të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për dyzetë e tetë (48) orë, me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”. Ndërkaq, dy (2) të dyshuar tjerë për këtë rast me iniciale S.L., dhe K.H., deri në këto momente nuk i janë përgjigjur ftesës për intervistim”, njoftoi Prokuroria.

Gjatë kësaj të enjteje (14 maj) në qendër të qytetit në Skenderaj dyshohet se ka ndodhur një përplasje fizike mes Kryetarit të Komunës, Sami Lushtaku dhe kryetarit të degës së VV-së, njëherit zv/ministrit të Financave, Hysni Mehani. Pas ngjarjes, Mehani ka kërkuar ndihmë mjekësore.