Sipas Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, vdekja e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, në qendrën e paraburgimit në Prizren, është më e rëndë se ato që i ka bërë regjimi gjenocidial i Kasapit të Ballkanit, Slobodan Millosheviç.

“Astrit Deharin e kanë mbajtë në burg 67 ditë, pa aktakuzë, pa e marrë në pyetje, pa asgjë. Kjo është një prej akteve më të rënda që i ka përjetu vendi jonë pas luftës. Pra, ju e dini që lufta, beteja më e madhe e popullit tonë është bërë për liri dhe drejtësi. Nuk e ka pritë kurrkush që na me e vujtë ma keq se që kanë vuajtë shqiptarët në regjimin fashist të Millosheviqit. Kjo ka ndodh në rastin e Astrit Deharit”, tha Basha.

Këto komente, kryeparlamentari i bëri pasi që shkoi te varri i Astrit Deharit për të bërë homazhe në 9 vjetorin e vdekjes së tij.

“Jemi këtu për të kujtu jetën dhe veprën e Astrit Deharit, një njeri shembullor, një aktivist i pashoq që na tregon se duhet të vazhdojmë rrugën e tij, të qëndrojmë kundër padrejtësive që bëhen në këtë vend”, deklaroi ai.

Basha konsideroi se “padrejtësia më e madhe i është bë atij”, derisa bëri edhe një krahasim me kohën e ish-Jugosllavisë.

“Veç duhet ta kuptoni që edhe në kohën e Jugosllavisë, regjimi fashist ka saju aktakuza kur i kanë mbajtë njerëzit në burg”, shtoi.