Albulena Haxhiu sot, së bashku me Kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha dhe deputeten e Vetëvendosjes, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka bërë homazhe te varri i aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, ndonëse për më shumë se katër vite sa ishte Ministre e Drejtësisë nuk e zbardhi këtë rast, paçka se kishte premtuar.
Haxhiu, që tani mban pozitën e nënkryetares së Kuvendit, la dikasterin e Drejtësisë me shumë premtime të parealizuara. Por, në krye të listës qëndron rasti i Deharit, i cili vdiq në qendrën e paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2016, saktësisht 9 vjet më parë.
VV-ja ishte e bindur se Astrit Dehari ishte vrarë, ndonëse raportet ndërkombëtare për këtë rast nuk e konstatonin këtë. Si opozitë, por edhe kur erdhën në pushtet, nga partia që udhëhiqet nga Albin Kurti, premtonin se do ta zgjidhnin këtë rast.
Albulena Haxhiu ishte nga më të zëshmet. Në shkurt të 2020-së, kur u bë për herë të parë Ministre e Drejtësisë në Qeverinë Kurti 1, Haxhiu vizitoi qendrën e paraburgimit në Prizren ku vdiq Astrit Dehari dhe nga aty premtoi se do të punojnë për ta zbardhur këtë rast.
“Ne nuk do të ndalemi derisa drejtësia për Astritin të vihet në vend”, thoshte Haxhiu më 3 shkurt 2020.
Pak ditë pas kësaj deklarate, Haxhiu insistonte se rasti i Astrit Deharit do të zbardhet.
“Besoj fuqishëm që rasti i Astrit Deharit do të zbardhet sa më parë”, deklaronte Haxhiu më 16 shkurt 2020.
Ishte paraqitur edhe emocionale për këtë rast. Në një intervistë televizive, gjatë kohës sa ishte Ministre e Drejtësisë, thoshte se as gjumin nuk po e bën rehat.
“Dicka që nuk më lë të qetë gjatë gjithë mandatit tim, diçka që edhe gjumin nuk mundesh me e bë bash rehat është rasti Dehari”, deklaronte më 30 shtator 2022, duke shtuar se “do të bëj gjithçka brenda kompetencave të mia që përgjegjësit të dalin para drejtësisë”.
Në Kurti 1 ishte për pak kohë ministre, s’bëri asgjë. Por, as në Kurti 2, ku drejtoi për katër vjet dikasterin e Drejtësisë, nuk e pati asnjë rezultat për zbardhjen e rastit të Astrit Deharit.
Përkundrazi, gjatë mandatit të saj pati skandale tjera për këtë rast. Në dhjetor të vitit 2022, Haxhiu kishte dalë në një konferencë për media për të treguar se ishin humbur mostrat e Astrit Deharit, të cilat ruheshin në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).
Sot, Haxhiu është ulur në një karrige të re – nënkryetares së Kuvendit dhe nga aty bën homazhe te varri i Deharit dhe këtë e bën pa e zgjidhur këtë rast, i cili kishte qenë njëra nga kauzat më të mëdha të VV-së.









