Përballë protestave masive të qytetarëve, përballë akuzave të rënda për padrejtësi në procesin gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përballë pretendimeve për anshmëri institucionale dhe përdorim selektiv të drejtësisë; përballë fakteve se është mbështetur në “dëshmi” të siguruara nga Serbia, përballë pretendimeve se ka paguar dëshmitarë për të dëshmuar kundër ish-krerëve të UÇK-së dhe se ka fshehur prova shfajësuese; përballë faktit se ish-kryeprokurori i saj, Jack Smith, po përballet në SHBA me akuza për përdorimin e drejtësisë për qëllime politike, si dhe përballë realitetit që disa nga gjyqtarët e saj janë shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara, Gjykata Speciale po mban “takime informuese” në Kosovë sikur të ishte duke ia bërë PR-in ndonjë korporatë private, e jo duke ushtruar misionin për të cilin është krijuar: vendosjen e drejtësisë.

Në një përgjigje për VOX Kosova, pas raportimeve se zyrtarë të saj po mbajnë ligjërata në shkollat e mesme të Kosovës, Dhomat e Specializuara kanë thënë se që nga viti 2018, “zhvillojnë rregullisht aktivitete në mbarë Kosovën me një gamë të gjerë grupesh të ndryshme, përfshirë studentë, por edhe anëtarë të komuniteteve lokale, avokatë, gazetarë dhe të tjerë, në kuadër të Programit të Komunikimit me Publikun të gjykatës”.

Këto aktivitete, thonë nga Specialja, “nuk janë ligjërata, por takime informuese”. “Qëllimi i tyre është të jenë të pranishëm në Kosovë dhe t’u përgjigjen pyetjeve të qytetarëve lidhur me punën e gjykatës”.

Nga kjo gjykatë pretendojnë se Programi i Komunikimit me Publikun i Dhomave të Specializuara të Kosovës “është i ngjashëm me programet e komunikimit që zbatohen nga tribunalet e tjera me seli në Hagë”.

“Meqë gjykimet zhvillohen jashtë Kosovës, qëllimi është t’u ofrohet qytetarëve informacion bazë mbi mandatin dhe aktivitetet e gjykatës, të dëgjohen qëndrimet e tyre dhe t’u përgjigjen pyetjeve të tyre”, theksojnë nga Specialja në përgjigjen e tyre për VOX-in.

Pas raportimeve se zyrtarët e Speciales kanë mbajtur ligjeratë në shkollën e mesme “Xhevdet Doda”, nga ky institucion arsimor e mohuan se ka ndodhur një gjë e tillë.

Nga kjo shkollë kanë thënë se ligjërata në fjalë është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), “një organizatë e njohur që zhvillon ligjërata edukative në shkolla të mesme dhe universitete, me fokus në edukimin juridik dhe qytetar të të rinjve”.