Nga Gjimnazi “Xhevdet Doda” kanë thënë se nuk është mbajtur asnjë ligjëratë nga zyrtarë apo gjykatës të Gjykatës Speciale në ambientet e kësaj shkolle, edhe pse nga Specialja e konfirmuan se po mbajnë ligjërata me nxënës në Kosovë.

“Në lidhje me disa informacione të pasakta që po qarkullojnë, sqarojmë opinionin publik se nuk ka pasur asnjë ligjëratë të mbajtur nga zyrtarë apo gjykatës të Gjykatës Speciale në ambientet e shkollës sonë”, thuhet në reagim.

Nga kjo shkollë thonë se ligjërata në fjalë është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), “një organizatë e njohur që zhvillon ligjërata edukative në shkolla të mesme dhe universitete, me fokus në edukimin juridik dhe qytetar të të rinjve”.

Qëllimi i kësaj ligjërate, siç thonë ata, “ka qenë informimi i nxënësve mbi sistemin e drejtësisë, llojet e gjykatave dhe mënyrën e funksionimit të tyre, përfshirë edhe gjykatën e Kosovës që funksionon në Hagë, në kuadër të një informimi të përgjithshëm dhe edukativ”. “Gjatë ligjëratës janë trajtuar procedurat dhe funksionimi i gjykatave në mënyrë neutrale dhe informative”.

“Çdo interpretim apo pretendim tjetër që sugjeron ndryshe është i pavërtetë dhe i pabazuar. Theksojmë se kjo organizatë ka realizuar mbi 100 ligjërata të ngjashme në fakultete dhe shkolla të mesme në mbarë Kosovën, duke kontribuar në rritjen e njohurive juridike dhe qytetare të të rinjve”.

Drejtoria Komunale e Arsimit, theksojnë ata, nuk është e përfshirë në këto pëlqime për mbajtjen e ligjëratave të tilla, dhe pëlqimi është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës – KDSH.

“Shkolla jonë mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, edukimit cilësor dhe informimit korrekt të nxënësve dhe opinionit publik”, potencuan ata ndër të tjera.

Në një përgjigje për mediumin Nacionale, Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar se po mbajnë ligjërata me nxënës në Kosovë.

“Po, ekipi i informimit i Dhomave të Specializuara këtë javë po zhvillon aktivitete për të informuar grupet studentore në Prishtinë rreth mandatit dhe procedurave të gjykatës, si dhe për të dëgjuar pikëpamjet e tyre dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre”, ka thënë zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep.

“Siç e dini, që nga viti 2018 ne kemi zhvilluar rregullisht aktivitete me qytetarë në të gjithë Kosovën si pjesë e programit të informimit, duke dëgjuar komentet e njerëzve dhe duke u përgjigjur pyetjeve të tyre”, ka shtuar.