Partitë e ish-opozitës – PDK, LDK e AAK – ende nuk e kanë një qëndrim zyrtar se a do ta mbështesin kërkesën që iu bë nga OVL-UÇK-ja, për shkarkimin e kryekuvendarit, Dimal Basha, pasi që po presin mbledhjet e kryesive, ndonëse disa prej deputetëve – personalisht – u shprehën të gatshëm për shkarkimin e kryeparlamentarit të sapozgjedhur.
Kërkesa e OVL-UÇK-së erdhi pasi që opinioni publik u njoftua të mërkurën me një punim shkencor të Bashës, ku ai është bashkautor, e në të cilin portretizohet UÇK-ja si një organizatë e financuar nga trafikantët e drogës.
Mërgim Lushtaku, deputet nga radhët e PDK-së – e cila e votoi Bashën për Kryetar të Kuvendit – tha se nëse ka ndonjë iniciativë për shkarkimin e Bashës “do ta mbështes pa mëdyshje”, por s’mund të flasë në emër të partisë pa u mbajtur mbledhja e Grupit Parlamentar.
“Do ta flasim këtë në Grup Parlamentar. Do të diskutojmë se si do të realizojmë kërkesën e drejtë të shoqatave të dala nga lufta për shkarkimin e Dimal Bashës, i cili ka qenë bashkautor në një artikull për nënçmimin e vlerave të luftës”, tha Lushtaku në një deklaratë për VOX Kosova.
LDK-ja nuk e votoi Bashën për kryekuvendar, ndërsa tani nëse ka ndonjë iniciativë për shkarkimin e tij, ashtu siç ka kërkuar OVL-UÇK-ja, deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami, ka thënë se “do ta mbledhin Grupin Parlamentar, që ta diskutojmë”.
“Përndryshe, ju e dini që vota jonë ka qenë kundër Dimal Bashës dhe nuk është që mbajmë ndonjë përgjegjësi sa i përket kësaj. Kjo është mënyra se si Albin Kurti e ka vlerësuar elektoratin e vet”, tha Bajrami në një prononcim për VOX Kosova.
Sipas saj, veteranët nuk kanë çështje kontestuese me LDK-në në këtë pikë, për shkak se ata nuk e kanë votuar Bashën, por “besoj që të gjithë problemin e kanë me ata të cilët e kanë dhënë votën pro tij”.
Pjesa më e madhe e deputetëve të AAK-së e votuan Bashën. Tani nga kjo parti thonë se do të mbështesnin shkarkimin e tij. Deputetja Time Kadrijaj, deklaron se “pa dyshim që do ta përkrahte” shkarkimin e kryekuvendarit, por vlerëson se kjo iniciativë duhet të vijë nga partia më e madhe e ish-opozitës, PDK-ja.
“Shoqatat e dalura nga lufta duhet ta takojnë Memli Krasniqin edhe të bisedojnë me të. Ne besoj që e përkrahim”, pohoi Kadrijaj në një bisedë për VOX Kosova.
Për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit duhen 61 vota, ndërsa për shkarkimin e tij nevojiten 2/3 e deputetëve, 80 sosh.









