Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) u ka dërguar letër shefave të grupeve parlamentare, duke kërkuar nisjen e procedurave për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha.

Kjo kërkesë vjen pasi të mërkurën opinioni publik u njoftua me një punim shkencor të Dimal Bashës, ku portretizohet UÇK-ja si një organizatë e financuar nga trafikantët e drogës, gjë që, siç thonë ata, përbën një fyerje të rëndë ndaj luftës çlirimtare, sakrificës së dëshmorëve dhe themeleve të shtetit të Kosovës.

“Një individ që ka mohuar dhe njollosur luftën e UÇK-së nuk gëzon legjitimitet moral e politik për të udhëhequr institucionin më të lartë përfaqësues të qytetarëve tanë”, shkruhet në letrën e OVL-së.

Ata kanë bërë thirrje që deputetët të marrin përgjegjësi politike dhe institucionale për shkarkimin e Bashës dhe të veprohet me urgjencë, duke “mos lejuar që Kuvendi të drejtohet nga një person me qëndrime të tilla fyese ndaj UÇK-së dhe historisë sonë të lavdishme”.