Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se vendimi që Kosova të eksportojë thëngjill tregon varfëri ekonomike për vendin dhe mungesë të vizionit për zhvillim.
“Ky na qenka “tranzicioni energjetik” i Kosovës nën udhëheqjen e VV-së. Kushdo që merr vesh në ekonomi, e di se vendi që eksporton lëndë të parë dhe importon produktin e gatshëm të prodhuar plotësisht nga ajo lëndë e parë, siç është rasti konkret, tregon varfërinë e vet ekonomike dhe mungesën e vizionit për zhvillim”, shkroi Hoti në Facebook.
“Sa të padijshëm e sa të mbrapshtë”.
Pas anulimit të projekteve madhore energjetike, Kosova, siç thekson ai, tash krenohet me eksportin e thëngjillit. “E në anën tjetër, importon enegjinë e prodhuar nga ai thëngjill. Dhe kjo ndodh pas 6 vitesh të LVV-së në krye të qeverisë, gjatë të cilave vite asnjë kapacitet i ri energjetik stabil nuk është ndërtuar, as me thëngjill e as me gaz”.
Reagimi i Hotit vjen pasi që Korporata Energjetike e Kosovës dhe Elektranat e Maqedonisë së Veriut kanë formalizuar një partneritet trevjeçar për furnizimin me qymyr të termocentraleve maqedonase.
Marrëveshja, e miratuar pas negociatave dhe një vendimi të Qeverisë së Kosovës, i mundëson Elektranave të Maqedonisë së Veriut (EMV) të marrin me koncesion minierën e Obiliqit.









