Korporata Energjetike e Kosovës dhe Elektranat e Maqedonisë së Veriut kanë formalizuar një partneritet trevjeçar për furnizimin me qymyr të termocentraleve maqedonase.

Marrëveshja, e miratuar pas negociatave dhe një vendimi të Qeverisë së Kosovës, i mundëson Elektranave të Maqedonisë së Veriut (EMV) të marrin me koncesion minierën e Obiliqit.

Përgjatë 36 muajve parashihet nxjerrja e rreth 3 milionë tonëve qymyr, me çmim të përcaktuar prej 24.4 eurosh për ton.

Sipas drejtorit të përgjithshëm të AD ESM-së, Lazo Uzunçev, gjatë periudhës së konsolidimit të minierave, Maqedonisë së Veriut i nevojiten rreth 1.4 milionë tonë qymyr në vit për të plotësuar prodhimin vendor.

Megjithatë, kapacitetet në pikën kufitare Bllacë paraqesin një kufizim.

Uzunçev ka deklaruar se përmes kësaj pike nga KEK-u mund të sigurohen realisht rreth 800 mijë tonë qymyr në vit.

Kjo e bën kapacitetin e transportit një prej faktorëve kryesorë në zbatimin e marrëveshjes, pavarësisht se në letër parashihet furnizimi me rreth 3 milionë tonë gjatë tre vjetëve.

Qymyri i pellgut të Obiliqit, sipas palës maqedonase, ka një fuqi kalorike mesatare prej rreth 1,950 kcal/kg, ndërsa karakterizohet nga nivele të ulëta të squfurit dhe hirit.

EMV pret që përdorimi i qymyrit kosovar të rrisë efikasitetin e termocentraleve në Manastir dhe Osllomej dhe të mundësojë prodhimin e rreth 800 gigavat-orëve energji elektrike shtesë në vit.

Nga kjo sasi, sipas deklarimeve të Uzunçevit, priten të ardhura prej rreth 57 milionë eurosh në vit, ndërsa paralelisht synohet ulja e konsumit të mazutit dhe e emetimeve të CO₂.

Por, ndërsa pala maqedonase e sheh marrëveshjen si një mundësi për rritjen e prodhimit dhe të ardhurave të veta, për Kosovën mbetet me rëndësi se çfarë përfitimi konkret sjell shfrytëzimi i qymyrit të Obiliqit.

Sidomos në një kohë kur qymyri mbetet një prej burimeve kryesore të prodhimit të energjisë në Kosovë, marrëveshja vendos në qendër të vëmendjes çmimin prej 24.4 eurosh për ton, kushtet e koncesionit dhe mënyrën se si do të realizohet nxjerrja dhe transporti.

SHA EMV ka njoftuar se deri në fund të gushtit do të hapë tender për përzgjedhjen e operatorit ekonomik që do të merret me nxjerrjen, analizimin, ngarkimin dhe transportimin e qymyrit nga Obiliqi drejt depove të termocentraleve në Manastir dhe Osllomej.

Marrëveshja nuk do të nisë të zbatohet menjëherë.

Ajo do të hyjë në zbatim zyrtar pasi të përfundojë procedura e tenderimit dhe të përzgjidhet operatori ekonomik.

Sipas Uzunçevit, bashkëpunimi me kompaninë shtetërore të energjisë në Kosovë paraqet një rrugë të shpejtë dhe të sigurt për realizimin e synimit të Maqedonisë së Veriut që të shndërrohet në eksportuese neto dhe të vazhdueshme të energjisë elektrike.