Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për sulme ndaj partisë së tij pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, e aprovoi ankesën e saj kundër hapjes së qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike.

“Paskan reaguar i madh e i vogël në sektin e Vetëvendosjes. Natyrisht me mashtrim, pa fakte, me propagandë – siç dijnë vet ata. Mashtrimi u është bërë mendësi sot. E vërteta është se që nga caktimi i datës së zgjedhjeve, e deri më sot, po provohet nga Vetëvendosja në çdo mënyrë të ndërtohet një sistem i manipulimit të votave. I vjedhjes së tyre për ta thënë thejshtë”, shkroi Abdixhkiku në Facebook.

Ai ka shtuar se VV-ja ka synuar që procesi i votimit për zgjedhjet e 28 dhjetorit të kryhet në “salla dasmash” dhe në “restorante”.

“Pastaj provuan të votojnë në depo mallrash, salla dasmash e restorante; pra jashtë ambasadave e konsullatave siç e thotë ligji. Votime në vende ku nuk ka shtet, nuk ka kontroll, nuk ka monitorim. PZAP, natyrisht, siç e thotë ligji, nuk e lejoj. Dhe ja ku jemi sot: Panik. Sulme. Ulërima. Histeri politike”, shtoi.

Në këndvështrimin e Abdixhikut, VV-ja i ka marrë disa veprime pasi është e pakënaqur me rezultatin e zgjedhjeve lokale dhe si pas tij, “donin t’i kthenin kohët e vjetra të votimeve e manipulimeve masive. Rastet e tilla janë ende të deponuara në hetuesi e prokurori. KQZ natyrisht nuk e lejoj. Drejtësia dhe ligji qëndruan”.

“E vërteta është e thjeshtë. Mërgata kurrë më të lehtë nuk e ka pasur votimin. Përveç se zgjedhjet janë në fundvit, kur secili mund të jetë në atdhe; secili bashkatdhetar që nuk vie këndej, mund të votojë në konsulatë e ambasadë të Republikës; shtetit tonë. Mund dhe të votojnë edhe me postë; secili në emrin e vet, me fletvotim jo të printuar por të pranuar nga shteti i vet. E di se do ta bëjnë. LDK po punon secilën ditë me ta. Regjistrohuni e ejani e votoni masivisht në Kosovë. Ne jemi të qetë!”.

“Ata duan të manipulojnë. T’i printojnë vet fletëvotimet. T’i mbushin vet. T’i manipulojnë votat vet. Të prodhojnë rezultatin që s’e marrin dot me besimin e qytetarëve. Përse? Sepse e kanë kuptuar një të vërtetë të madhe: Mërgata nuk mashtrohet më. Mërgata nuk blihet. Mërgata po ndryshon. Mashtrimet e propagandat nuk kalojnë më! Jo më ndaj këtij vendi. Jo më në emër të mërgatës. Jo më ndaj demokracisë. Kosova po zgjohet. Mërgata po rikthehet. E paniku i tyre është shenja e parë e humbjes së që i pret”.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka pranuar si të bazuar ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës që përfaqësitë diplomatike dhe hapësirat e tyre do të jenë qendra të votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, dhe jo hapësirat e tjera alternative, duke e ndryshuar vendimin e mëparshëm.

Propozimi për të votuar në qendra alternative, përveç hapësirave zyrtare të misioneve diplomatike, ishte bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe ishte përkrahur nga Vetëvendosja.