Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka rrëzuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që votimi në zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit të bëhet edhe jashtë përfaqësive diplomatike të Kosovës.
“Pranohet e bazuar ankesa e datës 27.11.2025 e parashtruar nga subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me seli në Prishtinë, NDRYSHOHET Vendimi Nr.01/3438- 2025, i datës 26.11.2025 i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, sa i përket Qendrave të Votimit jashtë Kosovës, numrit të vendvotimeve si dhe listën e qendrave të votimit, ashtu që Qendra të Votimit jashtë Kosovës për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen me 28 dhjetor 2025, caktohen përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës apo hapësirat e tyre. Lista e Qendrave të Votimit, si në pikën I të këtij vendimi përbëhet vetëm nga Qendrat e Votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës apo hapësirat e tyre”, thuhet në vendim.

Propozimi për të votuar në qendra alternative, përveç hapësirave zyrtare të misioneve diplomatike, ishte bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe ishte përkrahur nga Vetëvendosja.
Pas propozimit, KQZ-ja të enjten miratoi vendimin për krijimin e hapësirave shtesë për të votuar.
Ky vendim u kundërshtua nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ankesa në PZAP u bë nga LDK-ja, e cila u pranua nga ky institucion.









