Xheladin Krasniqi, ish-ushtrues i detyrës së Sekretarit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, aktualisht ushtrues detyre i Drejtorit të Ansamblit Kombëtar “Shota”, është dënuar me 3 mijë euro gjobë.
Vendimi dënues për të u mor të enjten nga gjykatësi i rastit, Avni Syla, pasi iu është rikualifikuar vepra penale nga “Nxitje e urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit” në “Kanosje”, raporton Betimi për Drejtësi.
Krasniqi, më 13 shkurt 2019, kishte eskaluar në një koment në Facebook, ku kishte thënë se komunitetit LGBTIQ+ duhet t’u hiqet koka me shpatë.
“Uuuuu çfarë degjenerimi i skajshëm. E shpat e bi bre. Mir ishkon pra se me ju hjek koken me ja u rras shpaten ne b****”, kishte shkruar ai.
Për këtë, ai akuzohej se ka shkaktuar nxitje të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit midis grupeve të tjera që jetojnë në Kosovë.
Gjatë kohës sa kishte qenë ushtrues detyre i Sekretarit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Krasniqi ishte akuzuar se ka ushtruar dhunë ndaj një kolegu. Për këtë rast, punëtorët e kësaj Ministrie kishin protestuar më 14 nëntor 2024.
Duke e pasur mik Ministrin e atëhershëm të Kulturës, Hajrulla Çekun, Krasniqi kishte arritur që brenda një dite të transferohej në katër pozita të ndryshme në ministri. Qëllimi kishte qenë që të emërohej sekretar.
Përkundër veprimeve të tij, nuk kishte pasur asnjë penalizim. Madje, ishte shpërblyer nga Çeku, duke u emëruar si Drejtor në Ansamblin “Shota”, i cili kontrollohet e financohet nga shteti.
Për të bëmat e Krasniqit në Ansamblin “Shota”, VOX Kosova kishte raportuar më 23 mars. Pas një konflikti verbal të tij me njërin prej figurave kryesore të “Shotës”, Besnik Grajçevci, kishte përfunduar me largimin e këtij të fundit.









