Jemi më 14 nëntor të vitit 2024.
Punëtorët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, po protestojnë për një sulm brutal fizik që aso kohe sekretari i kësaj ministrie, Xheladin Krasniqi, kishte kryer ndaj një kolegu të tyre në Ministri.
“Dhuna ose sulmi fizik është i papranueshëm, i patolerueshëm dhe absolutisht i dënueshëm”, thoshte ish-Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeko.
Por e kundërta nga kjo që thoshte ministri do të ndodhte. Për dhunën e ushtruar, Krasniqi shpërblehej.
Si një mik i ngushtë me Çekon, me vendim të këtij të fundit, ai emërohet drejtor në Ansamblin “Shota”, institucion ky që kontrollohet e financohet nga shteti.
Të bëmat e të përkëdhelurit të Çekos nuk u ndalën, ato vetëm ndërruan vend.
Një konflikt verbal mes Krasniqit dhe njërit prej figurave kryesore të “Shotës”, Besnik Grajçevci, përfundoi me largimin e këtij të fundit, një emër që për vite ishte ndër ikonat e trupës artistike.
Denoncimi erdhi nga drejtori, dhe me rekomandim të tij, Grajçevci u suspendua. Në shkresën që siguroi VOX Kosova, u tha se ka pasur edhe sulm fizik.
Këtë e mohon Grajçevci. Mediumit i tha se janë në zor nga sjelljet e njeriut të Çekos.
“Muj me thanë që kemi pasur tension verbal edhe konflikt verbal, por në asnjë moment nuk ka pasë ndonjë tendencë ose naj kërcënim apo sulm fizik. Tensioni verbal ka ardhur si pasojë e nxitjeve të probleme nga ana e drejtuesit në vazhdimësi, që nga ardhja në atë pozicon edhe ai ka qenë një shpërthim momental pikërisht nga nxitjet e tij, të injorimit, të ofendimeve ndaj personaliteteve tona”.
Krasniqi ka një tjetër version.
“Arsyet dhe rrethanat që kanë çuar në këtë vendim janë pjesë e procesit disiplinor dhe janë të njohura për vetë z. Grajqevci. Deri në përfundimin e këtij procesi, nuk mund të jap detaje shtesë”, i tha ai VOX Kosovës.
Simpatinë për drejtorin supermen Krasniqi, Çeko e shpërfaqte edhe kur brenda një dite, atë e transferonte në katër pozita të ndryshme, vetëm e vetëm për ta emëruar sekretar.
Dhe ka historik: Sistemi ministror i Çekos shpërblen agresionin dhe ndëshkon ata që guxojnë të kundërshtojnë.
Nën drejtimin e tij, triumfuan drejtorët e dhunshëm, ndërsa kurajoja përball tyre u dënua.








