E ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, ka bërë sërish thirrje që Kosova të bëhet pjesë e projektit të gazit amerikan.
Sipas një postimi të publikuar nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë lidhur me deklarimin e Prattipatit në një organizim të Odës Ekonomike Amerikane për 4 Korrikun, u tha se Prattipati kishte bërë me dije sërish rëndësinë që Kosova të bëhet pjesë e projektit të gazit, pasi kjo do të siguronte investimet e ardhshme amerikane në Kosovë.
“E ngarkuara me Punë e SHBA-së, Anu Prattipati, mori pjesë në pritjen për ndarjen e çmimit ‘Partneriteti SHBA-Kosovë’, ku u vlerësuan anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë për kontributin e tyre në forcimin e marrëdhënieve tregtare ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Në fjalën e saj, ajo përshëndeti vendimin e Kosovës për të hequr tarifat doganore ndaj mallrave amerikane dhe bëri thirrje që Kosova të diversifikojë furnizimin e saj me energji përmes gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja, me qëllim të sigurimit të investimeve të ardhshme amerikane në vend”, u tha në njoftim.
Arsyetimi i Kosovës deri më tani për refuzimin e këtij projekti është se ka një opsion më të mirë dhe më të lirë, ndërsa për gazin amerikan planifikon të punojë me Termocentralin në Vlorë të Shqipërisë.









