“Qaty do gypa”.
Kjo ishte fraza tallëse e Albin Kurtit me kërkesën amerikane për fillimin e ndërtimit të infrastrukturës së rrjetit të gazit në Kosovë.
Qysh në vitin 2021 Kosova do të mund të fillonte ndërtimin e kësaj infrastrukture, por Albin Kurti kishte plane të tjera.
“Se e ndreqim Aleancën me Amerikën për do gypa. Nuk ndreqet Aleanca me Amerikën për do gypa”, kishte deklaruar Albin Kurti.
Albin Kurti e dinte se nuk është çështje gypash, por një politikë e re amerikane për të zvogëluar ndikimin nga varësia e gazit rus dhe krijimin e rrugëve të reja të gazit amerikan për ta larguar varësinë e Evropës nga Rusia e cila në atë kohë përbënte furnizuesin kryesor me gaz në gjithë Evropën.
Albin Kurti e dinte, por ai e dinte edhe se populli në Kosovë nuk e ka fort idenë se çka saktësisht është kjo çështja e gazit.
Në një editorial e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane Annu Pratipatti shkroi se “Kosova do të duhej t’i bashkohej projekteve amerikane të gazit natyror të planifikuara nëpër Ballkan”.
Por, çka është gazi amerikan i njohur edhe si LNG dhe kah erdhi ky gaz?
LNG do të thotë Liquefied Natural Gas, ose në shqip Gaz Natyror i Lëngëzuar. Kurse Gazi Rus është Gaz Natyror.
Dallimi mes Gazit të Lëngëzuar dhe Gazit Natyror është te mënyra e transportimit. Derisa Gazi Natyror rus transportohet vetëm përmes gazsjellësve/tubacioneve dhe është gaz direkt në rrejt, gazi i lëngëzuar për shkak se e ndryshon gjendjen kthehet në lëng dhe transportohet me anije e pastaj rikthehet sërish në gjendje gazi dhe futet në rrjet.
Gazi i Lëngëzuar Amerikan u bë faktor në Evropë pasi filloi lufta në Ukrainë. Deri në vitin 2021, 45 për qind e gazit në Evropë vinte nga Rusia. Por, pasi sulmoi Ukrainën, Rusia ndaloi qëllimshëm furnizimin e Evropës me gaz, duke dashur kështu t’i detyrojë ta njohin pushtimin e Rusisë mbi Ukrainë. E gjendur në këtë situatë, Evropa ndërmori masa, duke formuluar një agjendë të re me emrin REPoëerEU. Rienergjizoje Bashkimin Evropian. Pika kryesore e agjendës ishte “Udhërrëfyes për t’i dhënë fund plotësisht varësisë nga energjia ruse”.
Qëllimi i kësaj pike ishte “Gazi – të ndalen të gjitha importet e gazit rus përmes gazsjellësve dhe gazit natyror të lëngëzuar deri në nëntor 2027”.
Por, si do ta bënte këtë Evropa, kur gazi rus ishte 45 për qind e mbulimit të kërkesave të BE-së?
Këtu futen në lojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gazi i tyre i lëngëzuar.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rezerva të mëdha të gazit natyror dhe gazit të lëngëzuar. Meqë për nevojat e veta përdorin gaz natyror që lëvizë në tubacione, gazin e lëngëzuar mund ta eksportojnë. Pasi ky gaz për t’u eksportuar nuk ka nevojë për tubacione dhe në formë të lëngët bartet me anije.
Kështu SHBA zuri vendin e Rusisë dhe u bë aktori kryesor i furnizimit të BE-së me gaz për ta nxjerr nga loja krejtësisht Rusinë.
Eurostat tregon se në vitin 2024 “SHBA-të ofrojnë gjysmën e importit të gazit natyral të lëngëzuar me 45.3% në shifra totale”.
Por, sipas Agjencisë së BE-së për Bashkëpunimin e Rregullatorëve të Energjisë në vitin 2025 kjo shifër shkoi deri në 58% e po rritet vazhdueshëm.
Dhe për ta larguar Rusinë krejtësisht si faktor, “Këshilli dhe Parlamenti arrijnë marrëveshje për rregullat që synojnë largimin gradual nga importet e gazit rus për një Evropë të sigurt dhe të pavarur energjetikisht”.
Pra, derisa BE-ja varej nga gazi rus që vinte përmes tubacioneve, tash atë gaz e ka zëvendësuar Amerika në pjesën më të madhe, por edhe Katari po ashtu që e transportojnë gazin e lëngëzuar me anije deri në terminalet Evropiane dhe më pas kthehet sërish në gaz e futet në rrjet të gazsjellësve.
Me rritjen e kërkesës për gazin e lëngëzuar amerikan, SHBA-të por edhe Kanada i kanë shtuar ndjeshëm kapacitet dhe pritet që deri në vitin 2029 të mbidyfishone eksportet. Derisa aktualisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin eksportuesi më i madh i këtij lloj gazi të përcjellur nga Australia e Katari.
Pra, ftesa që po i bëhet Kosovës për t’u bërë pjesë e kësaj infrastrukture të re energjie, përveçse është gaz amerikan është e ndërtuar për ta kundërshtuar dhe larguar gazin rus nga Evropa.
Por, cilat janë rrugët kryesore në Ballkan të gazit amerikan? Si mund ta marrë Kosova?
Kjo që po shihni është harta që tregon infrastrukturën e Bashkimit Evropian për Gazin e Lëngshëm Amerikan. Për Kosovën janë me interes tri pika në këtë hartë: Revitousa Terminal dhe Alkesandropolis në Greqi. Dhe Terminali në ishullin Kërk në Kroaci.
Dy Terminalet në Greqi njihen edhe si Korridori Vertikal i Gazit. Pra, Gazi i lëngëzuar vjen nga Amerika në njërën nga këto dy terminale në Greqi, kthehet në gjendje gazi nga i lëngshëm dhe kalon në Bullgari, Maqedoni të Veriut dhe në Kosovë.
Ose, vjen nga Amerika në Kroaci, kalon në Bosnje dhe Hercegovinë, në Mal të Zi dhe në Kosovë.
Këto të dyja janë rrugët e përmendura edhe nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, Pratipatti.
Po ashtu, këto dy korridore u përmenden edhe nga Joshua Volz, i dërguar i posaçëm për integrimin energjetik në Departamentin Amerikan të Energjisë.
Po, në ftesën Amerikane për Kosovën a ka interesa private të ndonjë kompanie?
Siç po e shihni ekziston një infrastrukturë e tërë e ndërtuar në gjithë Evropën dhe eksportuesi, shitësi kryesore është Amerika.
Një vend si Kosova që nuk konsumon energji as sa një qytet mesatar i Gjermanisë, nuk përbën kurrfarë domethënie në kuptim financiar për asnjë kompani amerikane që eksporton gaz në Evropë. Është qesharake edhe ta thuash.
A është shtrenjtë për Kosovën kyçja dhe ndërtimi i rrjetit?
Siç e dini, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishin dhënë Kosovës në vitin 2021 mbi 200 milionë euro për të investuar në energji elektrike. Një nga propozimet amerikane ishte që investimi të bëhej në ngritjen e një rrjeti të gazit në Kosovë. Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së edhe kishte bërë një studim para-fizibiliteti dhe po realizonte studimin e fizibilitetit.
Një nga mundësitë për t’i investuar ato qindra miliona euro ishte edhe në krijimin e një rrjeti të gazit, çka do ta bënte Kosovën një nga shtetet e para në Ballkan me rrjet funksional për energji me gaz.
Por, Qeveria e Kosovës vendosi të mos i dëgjoi SHBA-të as atëherë dhe paratë i përdori për diçka tjetër. Ndërtimin e baterive për konservim/ruajtje të energjisë.
“Ne kemi vendosur të vendosim tutje, të ecim tutje, dhe ta sjfrytëzojmë investimin e alokuar për programin e kompaktit për investime me risk më të ulët. Por që gjithashtu ndihmojnë Kosovën në cakun drejt dekarbokizimit të sektorit të energjisë dhe krijojnë kushte për zhvillim ekonomik dhe zhvillim të sektorit privat”, kishte deklaruar Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Arsyetimi ishte se, besoni ose jo, “nuk kemi mjaftueshëm informata”.
“Ne kemi nevojë për më shumë informata për të qenë të sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit, është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik”, kishte deklaruar Rizvanolli.
Paramendojeni, Kosova vendosi t’i përdorë paratë për ndërtimin e baterive për konservim të energjisë në një kohë kur Kosova nuk ka energji as për të shpenzuar lërmë për të konservuar. Por, përkundër këtij gabimi fatal Kosova prapë ka mundësi të investojë. Dhe prapë, Amerika po vjen në ndihmë.
E ngarkuara me Punë e Ambasadës Amerikane Pratipatti theksoi se “Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka gjithashtu mekanizma financimi në dispozicion për ndërtimin e infrastrukturës së gazit natyror”.
Pra, prapë do të ndihmojë. Por, vonesat e Qeverisë së Kosovës po rrezikojnë që Kosova të mbetet jashtë krejtësisht dhe kthim prapa nuk ka.
Nëse nuk veprohet shpejt, edhe nëse dëshiron të bashkëngjitet më pas do të jetë e kotë. Meqë nga shtetet tjera do të blihen kapacitetet paraprakisht siç ka blerë Serbia për shembull dhe nuk do të ketë më mundësi për blerje edhe po deshëm.
Prandaj, Pratipatti shkruan se “dritarja për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet”.
Të gjitha këto informata që i dhamë ne, i ka edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Pra, mospjesëmarrja në këtë projekt strategjik për të ardhmen e vendit nuk është mungesë informatash por zgjedhje.
Në anën tjetër Kosova nuk ka shtuar kapacitete të reja, nuk ka ndërtuar termocentral të ri e aktualisht furnizohet me energji të shtrenjtë nga Serbia duke mbetur e varur krejtësisht nga një shtet armik.
Duke i ditur të gjitha këto fakte a mund të jetë rastësi refuzimi i Albin Kurtit për projektin e gazit amerikan?
Unë nuk e besoj.
Por, në fund të fundit Albin Kurti edhe vetë na pati treguar se Aleanca me Amerikën, sipas tij është Aleancë për të kaluarën.
“Aleanca që ka vendi ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është aleancë e cekët edhe e ngushtë. Është aleancë për të kaluarën”, kishte thënë Kurti.
Ky planin e tij po e ekzekuton. Po, shqiptarët që e ndjekin çfarë kanë?








