Ushtruesja e Detyrës së Presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se është e hapur që të takohet me grupet parlamentare në qoftë se konsiderojnë se mund të kontribuojë për çështjen e Presidentit, derisa ka uruar që të mos jetë ajo që të shpallë datën e zgjedhjeve të reja.
“Si Kryetare e Kuvendit unë jam e hapur në qoftë se grupet parlamentare vlerësojnë që mund të kontribuojë me takime, me diskutime që të diskutojmë për situatën aktuale”, tha Haxhiu në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Të hënën, Kryeministri Albin Kurti, u takua me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për çështjen e Presidentit, por që nuk pati ndonjë marrëveshje.
Në këtë drejtim, Haxhiu tha se mirëpret vazhdimin e takimeve dhe uroi që “t’i lemë anash të gjitha dallimet dhe të jem bashkë që ta gjejmë një zgjidhje për çështjen e Presidentit”. “Uroj që të mos vijë situata që si U.D e Presidentes të shpallë datën e zgjedhjeve”, shtoi.
Ajo theksoi se është e rëndësishme që partitë politike të tregojnë vullnet për të gjetur një zgjidhje për Presidentin.
“Nëse i duhem grupeve parlamentare natyrisht që unë jam në shërbim të tyre të ndihmojë me takime dhe me çka do tjetër, por mendoj që e rëndësishme është që të gjitha grupet parlamentare, partitë politike që përfaqësohen në Kuvend të dëshmojnë vullnet për ta gjetur një zgjidhje për çështjen e Presidentit”, potencoi ajo.
Jashtë kësaj, Haxhiu ka kritikuar ish-Presidenten Vjosa Osmani, që e përfundoi mandatin pa e emëruar edhe një anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ajo tha se sapo të ketë një analizë do të marr vendim për këtë çështje.
“Jam duke i trajtuar çështjet me prioritet, mendoj se një proces kushtetues që ka filluar më herët është dashur të përmbyllet me Vjosa Osmanin. Nuk është në rregull që ka mbetur e papërfunduar. Unë jam njoftuar me çështjet prioritare, që duhet t’i trajtojmë. Sapo të kemi një analizë, do të veprojmë me kohë”, deklaroi Haxhiu.









