Arbërie Nagavci, Shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se Kryeministri Albin Kurti është duke “u angazhuar maksimalisht” për çështjen e Presidentit, tanimë kur afati kushtetues po i afrohet fundit.

“Kryeministri Kurti ka pasur takim me Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Besoj që ai është duke vazhduar angazhimin maksimal të tij si Kryetar i Lëvizjes dhe si përfaqësues i joni”, tha Nagavci pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ajo theksoi se gjatë këtyre ditëve “do të intensifikojë përpjekjet për të gjetur një zgjedhje dhe që Presidenti të votohet brenda afatit që e ka përcaktu Gjykata Kushtetuese sepse jemi të bindur që vendit i duhet një President i zgjedhur në Kuvend”.

“Zgjedhjet e reja nuk do të sjellin asnjë rezultat tjetër dhe përveç që janë të panevojshme janë edhe të padrejta”, deklaroi ajo.

Të hënën, Kurti u takua me Abdixhikun, por që nuk pati ndonjë marrëveshje.

Deri më tani, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e ish-Presidentes Vjosa Osmani, në lidhje me shpërndarjen e Kuvendit, ku u konstatua se dekreti s’ka efekt juridik, dhe u dha kohë deputetëve 34 ditë kohë që ta zgjidhin këtë çështje, Kurti nuk është takuar me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, për temën e Presidentit.

Të hënën, Hamza tha se i ka kërkuar Kurtit “të konkretizojë iniciativën për takim për çështjen e presidentit, përmes një letre zyrtare”. Sipas PDK-së, kjo duhet të bëhet në mënyrë që të rritet serioziteti në trajtimin e kësaj çështjeje.

“Pas këtij konkretizimi nga ana e tij, çështja do të shqyrtohet në organet e partisë dhe më pas do të paraqitet qëndrimi përfundimtar i PDK-së”, theksoi Zyra për Informim e Partisë Demokratike të Kosovës.

Aktualisht, Kosova është me ushtruese detyre të Presidentes. Këtë pozitë e mori Albulena Haxhiu pasi që Vjosa Osmanit më 4 prill i përfundoi mandati 5 vjeçar.

Nga afati Kushtetues prej 34 ditësh, kanë mbetur edhe 20 ditë që të zgjidhet Presidenti. Nëse brenda këtyre ditëve nuk ka President të ri, Kuvendi shpërndahet dhe Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.