Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar sulmet ndaj mediave e gazetarëve nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili nga foltorja e Kuvendit të Kosovës i akuzoi gazetarët si argatë të armiqve.
“AGK-ja e dënon retorikën nxitëse dhe akuzuese të kryeministrit Albin Kurti kundër mediave dhe gazetarëve. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendit të Kosovës, këtë të enjte, për të vazhduar sulmet e tij ndaj mediave dhe gazetarëve, duke folur mes tjerash, për ‘hyrjen e parave në mënyrë të padukshme’”, thuhet në reagim të AGK-së.
“Kryeministri në fjalën e tij ka thënë se ‘një qytetar i dezinformuar nuk është një qytetar i lirë, por është i manipuluar dhe siç tregojnë raportet, ky manipulim po vjen direkt nga armiqtë tanë, por fatkeqësisht po gjejnë edhe argatin e tyre brenda vendit tonë’”.
Një gjuhë e tillë, siç thonë ata, është vazhdimësi “e fushatave të parreshtura të Kurtit, partisë dhe Qeverisë së tij, kundër gazetarëve dhe mediave me synim minimin e raportimit të pavarur dhe të lirë”. “AGK-ja e dënon fuqishëm këtë retorikë nxitëse dhe akuzuese të Kurtit kundër mediave dhe gazetarëve në Kosovë, duke i vlerësuar ata ‘argatë të armiqve’”.
AGK-ja e ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të angazhohet për një proces transparent në hartimin e ligjit të ri të KPM-së me gjithëpërfshirje në diskutime, të ndalojë presionin politik ndaj RTK-së dhe “menjëherë të heqë dorë nga fushatat e organizuara të denigrimit të mediave dhe gazetarëve”.
Ata rikujtojnë se sulmi i ri i Kurtit kundër mediave dhe gazetarëve vjen vetëm pak ditë pas vizitës së një misioni faktmbledhës të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve që konkludoi se Kosova ka shënuar rënie të vazhdueshme të lirisë së medias në vitet e fundit.









