Deklarata e orëve të mbrëmjes të së mërkurës nga Lëvizja Vetëvendosje sipas Organizatës së Veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tregon qartë se kjo parti “po përpiqet të politizojë dhe të zbehë” qëllimin e protestës së madhe kundër Gjykatës Speciale që do të mbahet në Tiranë më 17 tetor, në sheshin “Skënderbej”.
Në një reagim zyrtar, OV-UÇK ka thënë se “kjo protestë nuk është e asnjë partie politike – ajo është zëri i popullit shqiptar, zëri i veteranëve, i familjeve të dëshmorëve dhe i gjithë atyre që nuk pajtohen me padrejtësinë që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë”.
“Nuk ka forcë politike që mund ta ndalë apo ta përvetësojë këtë zë. OVL UÇK nuk lejon dhe nuk do të lejojë që lufta e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të përdoret për interesa partiake”, thuhet në reagim.
Ata potencojnë se nuk kërkojnë retorikë politike, por “drejtësi për luftëtarët tanë dhe ndëshkim për krimet e Serbisë”. “Protesta e Tiranës është protestë e kombit, jo e partive”.
OVL-UÇK potencon se në Tiranë të premten do të jenë mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet, “për të treguar se UÇK-ja është nderi i kombit dhe s’ka gjykatë që mund ta njollosë atë”.
“Në të njëjtën kohë, OVL UÇK shpreh falënderim të sinqertë për Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili është treguar zë i qartë dhe mbështetës i kësaj kauze të drejtë, si dhe për institucionet shqiptare që kanë dhënë mbështetje të plotë për mbarëvajtjen dhe organizimin e protestës në Tiranë”, thuhet në reagim.









